Kineastët Ministrisë së Kulturës: Filmi të shpallet fushë me interes të veçantë shtetëror

Një grup i kineastëve kosovarë, drejtues institucionesh filmike e producentë, i kanë propozuar Ministrisë së Kultuërs, Rinisë dhe Sportit, që Filmi (kinematografia) të shpallet fushë me interes të veçantë shtetëror.

Përmes kësaj kërkese, e cila i është dorëzuar ministrisë, siç thuhet aty, nga Grupi punues për kinematografinë, i propozohet  MKRS që Filmin ta shpallë fushë të interesit të veçantë shtetëror, duke, propozuar edhe masat tjera për të ndihmuar zhvillimet kinematografike në vend.

Propozimi i kineastëve vjen pas sukseseve të një pas njëshme të filmave kosovarë në arenën ndërkombëtare.

Në propozimin e tyre, filmbërësit kosovarë potencojnë se në 10 vjetët e fundit kinematografia përkundër buxhetit tejet të ulët, pjesëmarrja e filmave kosovarë në festivalet e kategorisë A ka tejkaluar të gjitha shtetet në rajon.

“Vetëm këtë vit filmi ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli ka fituar tri çmimet kryesore ne Sundance; ‘Në kërkim të Venerës’ nga Norika Sefa ka fituar çmimin special të Jurisë në Roterdam; ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda dhe ‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luana Bajrami u shfaqen ne Festivalin e Kanës; ndërsa “Vera Andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi u shfaq në Festivalin e Venedikut”, thuhet në propozimin e Grupit punues për kinematografi.

Po asht ky grup i propozon MKRS rritje të buxhetit për filmin, ndryshim-plotësimin e Ligjit për Kinematografinë si dhe kthimin e kinemave që janë nën menaxhim të AKP-se në prona publike dhe shpallja e tyre si interes i veçante publik.

Po ashtu, MKRS-së i kërkohet MKRS amandamentimi i Ligjit për sponzorim për të krijuar më shumë sponsorizime për kulturën-filmin, Objekte për Qendrën Kinematografike dhe “Kosvafilm”-in.

“QKK-ja dhe ‘Kosovafilm’-i duhet të kenë objektet e veta (të përbashkëta apo të ndara), në të cilin përfshihen sallat e shfaqjes, galeria, libraria, kinoteka, hapësira për arkivimin e materialeve filmike dhe audio-vizuele, studiot dhe hapësirat e punës që reflektojnë kapacitetin e ardhshëm njerëzor të këtyre institucioneve”, thuhet në propozimin e Grupit punues për shpalljen e Filmit (Kinematografisë) fushë me interes të veçantë shtetëror.