Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar me 7 anëtarë, vetëm një grua

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka emëruar Munish Hysenin në pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Munish Hyseni është emëruar për ta zëvendësuar Ramadan Musliun, i cili vdiq para disa ditëve.

Me këtë emërim, KD i Teatrit Kombëtar bëhet me shtatë anëtarë. Anëtarët tjerë janë: Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Agron Shala, Ismet Azemi, Samka Ferri dhe Feim Maliqi.

Në listën e të emëruarve të ministres Dumoshi figuron vetëm një grua nga shtatë anëtarë.

KD i TKK-së, sipas ligjit për teatrot është organi më i lartë drejtues i Teatrit Kombëtar. Ai miraton repertorin vjetor të teatrit si dhe zgjedh dy drejtuesit e TKK-së, drejtorin dhe udhëheqësin artistik.

Sipas ligjit për teatrin, Këshilli Drejtues i TKK-së përbëhet nga shtatë anëtarë, me mandat katërvjeçar. Njëri prej shtatë anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij teatri duhet të jetë përfaqësues i MKRS-së.

“Këshillin drejtues të teatrove kombëtare e emëron dhe shkarkon Ministri. Këshilli drejtues i teatrove kombëtare i paraqet Ministrisë së paku një (1) herë në vit raportin e punës së teatrit”, thuhen ndër të tjerash në nenin 11 të ligjit për teatrot.