FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

Këshillet drejtuese - të nevojshme apo pengesë për institucionet e kulturës?

Ideja për të shuar këshillet drejtues të institucioneve të kulturës është prezantuar para disa ditëve nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë një interviste në emisionin “Kallxo Pernime”, është komentuar në mënyra të ndryshme nga njohës të zhvillimeve kulturore në vend.

Ministri Çeku ka lënë të kuptohet se po shqyrtohet ideja për shuarjen e këshilleve drejtuese, me Ligjin e ri unik për Kulturën.

Sipas ministrit, ky ligj, i cili është në hapat e parë të draftimit, do të shfuqizojë të gjitha ligjet tjera të kulturës, përveç atij të kinematografisë dhe trashëgimisë.

“Një ligj i ri për kulturën, mundet me ndërru komplet mënyrën se si janë të organizuara institucionet e kulturës, p.sh, është mendim im që këshillet drejtuese (KD) mund të jenë të panevojshme. Unë besoj që institucionet e kulturës duhet me ua besua drejtorit dhe udhëheqësit artistik”, ka thënë ministri Çeku gjatë emisionin “Kallxo Pernime”.

Njohës të fushës së kulturës japin mendime të ndryshme rreth idesë së shuarjes së këshilleve drejtuese.

Sipas tyre, nëse me ligjin e ardhshme parashihet shuarja e KD-ve, MKRS, në çdo rast duhet të mundësojë funksionin e pavarur nga politika.

Dobia nga shuarja e këshillëve

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, idenë për shuarjen e këshilleve drejtues të institucioneve të kulturës e sheh si të dobishme.

Sipas tij, këto këshille, më shumë janë pengesë se sa kanë ndihmuar punën e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë.

“Deri tash është vërtetur se këto këshille kanë qenë vetëm pengesë e institucioneve. Ato e kanë pamundësuar aktivitetin e institucioneve, për më keq janë këshille interesi, zakonisht nuk kanë brenda tyre njerëz profesionistë, por dashakëqij”, tha Mehmetaj për KALLXO.com.

Ndërsa regjisori Agim Selimi thotë se me shuarjen e këshilleve drejtuese do të ritet përgjegjësia e drejtorëve të institucioneve.

“Është mirë të shuhen, sepse drejtorët e institucioneve shpesh herë po justifikohen me vendimet e KD-ve, dhe vendimet e këtyre këshilleve po janë shumë heterogjenen, të klanizuara dhe në njëfarë mënyre po sabotohet puna e institucioneve të kulturës, dhe askush nuk po e merr përgjegjësinë”, tha Selimi për KALLXO.com.

Sipas tij, përgjegjësia duhet tu jepet drejtorëve të përgjithshëm dhe artistik.

“Nëse drejtorët nuk i kryejnë detyra për të cilat janë emëruar të shkarkohen, ndërsa ata që arrijnë objektivat të rizgjidhen”, tha në mes tjerash ai.

Historiani Selim Bezeraj mendon që nëse shuhen këshillet drejtuese përmes ndryshimeve ligjore, atëherë duhet të fuqizohen këshillet profesionale brenda institucioneve kulturore.

“Më e rëndësishme është që kompetencat të delegohen tek institucionet e kulturës dhe të përjashtohen mundësitë e ndikimit politikë, duke mos e vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve”, tha ai.

Aktori, Naim Berisha tha për KALLXO.com se këshillet drejtues nuk duhet të shuhen.

“Duke marrë  parasysh se në një vend me demokraci formale si këtu tek ne, koncentrimi i pushtetit tek një njëri i vetëm, mund të jetë risk për rrëshqitje në autokraci, këshillet drejtuese si organe mbikëqyrëse nuk do të duhej të shuheshin”, thotë Berisha.

Sipas tij, anëtarët e këtyre këshilleve duhet të mos emërohen nga ministri.

“Anëtarët e këshilleve drejtuese nuk do të duhet të emërohen prej një njeriu, por do të duhet të përzgjidheshin një pjesë nga komuniteti, një pjesë nga punëtorët e institucionit përkatës dhe një pjesë nga institucionet shtetërore. Ky organ do të duhet të ishte heterogjen si dhe të përfaqësohet nga individë me integritet të lartë moral dhe kredibilitet profesional”, tha ai.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit planifikon që deri në fund të këtij viti të bëjë gati Projektligjin unik për Kulturën.

Ky ligj parashihet të rregullojë veprimtarinë e pjesës më të madhe të institucioneve kombëtare kulturore të cilat mbikëqyren nga MKRS.

Me këtë ligj do të parashihet edhe mënyra e zgjedhjes së drejtuesve të këtyre institucioneve.

Institucionet qendrore kulturore udhëhiqen nga këshillet drejtuese, të cilën e kanë të rregulluar edhe me ligjet përkatës, por edhe ligjin për institucionet kulturore.

Këto këshille bartin përgjegjësinë kryesor për punë e institucioneve të kulturës, zgjedhin dhe shkarkojnë udhëheqësit e institucioneve përkatëse.

Anëtarët e këshilleve drejtuese zgjidhen nga ministri i MKRS-së. Për çdo mbledhje të KD-ve anëtarët paguhen nga 100 euro, kurse kryetarët e këshilleve marrin 120. Por, nuk kanë të drejtë të paguhen më shumë se për dy mbledhje gjatë një muaji.