Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Kërkohet rishpallja e konkursit për Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të rishpallet konkursi për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Rebeka Qena, kryetar e KD-së së TKK-së ka thënë për KALLXO.com se asnjë prej kandidatëve nuk kanë arritur pikët e mjaftueshme nga testi me shkrim për t`u ftuar në intervistë.

“Ne kemi njoftuar MKRS-në zyrtarisht rreth rezultateve të testimit me shkrim. Sidoqoftë, mund t’ ju njoftoj se asnjë kandidat nuk ka arritur pikët e nevojshme për t`u ftuar në intervistë. KD-ja ka rekomanduar që MKRS të rishpall konkursin për përzgjedhje të UA dhe është në pritje të informatave për këtë proces”, ka thënë ajo.

MKRS nuk është prononcuar për KALLXO.com me arsyen se kjo çështje është në kompetencë  të KD-së së TKK-së.

Më 8 korrik 2021 është mbajtur testi me shkrim i kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Nga tetë kandidatë sa kishin konkurruar në këtë konkurs vetëm pesë janë thirrur që të vazhdojnë garën për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të TKK-së.