Biblioteka Kombëtare | Foto: KALLXO.com

Katër kandidatë në garë për drejtor të Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’

Katër kandidatë i kanë hyrë garës për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Testi me shkrim mbahet sot, ndërsa të hënën e ardhshme kandidatët do të intervistohen me gojë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, një javë më parë, më 12.02.2020, ka hapur konkurs të brendshëm për zgjedhjen e drejtorit të BK, “Pjetër Bogdani”.

MKKRS ka konfirmuar për Kallxo.com se: Valon Kashtanjeva, Bislim Bislimi, Tefik Mehmeti dhe Fazli Gajraku, janë në garë për të marrë postin e drejtorit të Bibliotekës dhe se sot do t’i nënshtrohen testit më shkrim, ndërsa të hënën intervistës me gojë.

Sipas MKRS-së, në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, kanë aplikuar pesë kandidatë: Fazli Gajraku, Valon Kashtanjeva, Bislim Bislimi, Ramush Zeka dhe Tefik Mehmeti.

Ndërkaq, pas verifikimit të dokumentacionit, nga gara është eleminuar Ramush Zeka.

“Pas verifikimit të dokumentacionit në listën e ngushtë që do t’i nënshtrohen testit me shkrim sot, (21 shkurt 2020) në ora 11:00, në zyrën e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare janë: Valon Kashtanjeva, Bislim Bislimi, Tefik Mehmeti, Fazli Gajraku. Intervista me gojë do të mbahet të hënën, me datë 24.02.2020, në ora 10:00, në zyrën e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MKRS për Kallxo.com.

Ligjërisht përgjegjës për zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtar “Pjetër Bogdani” është Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke.

“Neni 10, Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Drejtues 1. Këshilli Drejtues ka këto detyra dhe përgjegjësi: 1.7. zgjedh dhe shkarkon drejtorin e bibliotekës”, thuhet në nenin 10, pika 1.7 të Ligjit për Bibliotekat.