Foto: UN Women Kosovo

Kandidati i larguar nga gara për drejtor të BKK-së, ‘Pjetër Bogdani’ ankohet në Ministri

Ramush Zeka, kandidati i larguar nga gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” ka dorëzuar ankesë në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zeka po pretendon se është larguar pa të drejtë nga gara për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së “Pjetër Bogdani”.

Por, kryetarja e Këshillit Drejtues të BKK-së, “Pjetër Bogdani”, Sazana Çapriqi ka thënë për Kallxo.com se diploma universitare e Zekës është shkaktare që ai është larguar nga gara për drejtor të bibliotekës.

Ramush Zeka, inxhinier i diplomuar i elektroteknikës, i cili që nga 2001 punon në bibliotekë, ishte në mesin e pesë kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së. Por, të premten e shkuar, ai nuk ishte ftuar në testim me shkrim për këtë konkurs.

Në një prononcim për Kallxo.com, Zeka ka thënë se nuk është informuar zyrtarisht për arsyen e eliminimit nga gara.

“Jo, nuk jam informuar nga askush, por e kam kuptuar kur ka filluar procedura e testimit me shkrim, e cila është mbajtur në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, ku unë nuk kam qenë i ftuar që të jem pjesë e testimit me shkrim. Kam tentuar të marrë ndonjë përgjigje nga personeli i MKRS-së, konkretisht në zyrën ku kam dorëzuar aplikacionin, por përgjigjja nga ta ishe se nuk jemi në dijeni, nuk jemi kompetent etj. Përgjigje zyrtare me shkrim, në e-mail apo edhe përmes telefoni nuk kam marrë”, ka thënë Zeka.

Zeka përpos që është inxhinier i elektroteknikës, diplomuar në Fakultetin e Shkencave Elektrike dhe Kompjuterike në UP “Hasan Prishtina”, që nga viti 2009 mbanë gradën “Magjistër i bibliotekarisë”, titull ky që e ka fituar në Universitetin e Zarës në Kroaci, në Degën e Shkencave të Informacionit dhe Bibliotekarisë.

“Gjithsesi pasi që konsideroj se refuzimi im është i paarsyeshëm dhe në kundërshtim të plotë me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, dhe atë si vijon: Rregullorja nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil; Ligji nr. 03/L-149 Për shërbimin civil të Republikës së Kosovës; ligji nr. 04/l-097 për bibliotekat; statuti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër BogdanI”, etj”, ka thënë Zeka për Kallxo.com

Sazana Çapriqi, kryetar e KD-së së BKK-së, “Pjetër Bogdani”, ka thënë për Kallxo.com Ramush Zeka është eliminuar nga gara për shkak të dokumentacionit. Meqë siç ka thënë ajo, Zeka nuk kishte diplomën siç kërkohej me konkurs.

“Z. Ramush Zeka nuk është thirrur në intervistë sepse në bazë të dokumentacionit, diplomat e tij nuk janë në përputhje me konkursin e MKRS-së. Drejtimet e kërkuara sipas konkursit janë: juridik, filozofik, ekonomik dhe filologjik”, ka thënë Çapriqi.

Konkursi për zgjedhjen e dejtorit të ri të Bibliotekës Kombëatre, Pjetër Bogdani” është hapur më 12.02.2020, ndërsa është mbyllur më më 19.02.2020.

Ligjërisht përgjegjës për zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtar “Pjetër Bogdani” është Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke.

“Neni 10, Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Drejtues, 1. Këshilli Drejtues ka këto detyra dhe përgjegjësi: 1.7. zgjedh dhe shkarkon drejtorin e bibliotekës”, thuhet në nenin 10, pika 1.7 të Ligjit për Bibliotekat.