Kalendari kulturor, sjellë veprat e tre artistëve nga Shqipëria në Prishtinë

Veprat e tre artistëve nga Shqipëria, Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo, do të ekspozohen më, 17 tetor 2019 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, “Qafa” në kuadër të ekspozitës “Post-avangarda lindore”.

Ekspozita do të hapet në ora 19:00, në Galerinë e MKRS-së, “Qafa”, dhe është kuruar nga kuratoria dhe kritikja e artit, Suzana Varvarica-Kuka.

Ekspozita “Post-avangarda lindore” hapet në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor, Kosovës – Shqipëri.

Përmes një njoftimi për media, menaxhmenti i kësaj galerie bën të ditur se kjo ekspozitë e përbashkët prezanton veprat e artistëve Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo, nën kujdesin kuratorial të kritikes, Suzana Varvarica– Kuka.

Përmes kësaj ekspozite, thuhet më tej në komunikatë, kuratoria Varvarica-Kuka synon të “provokoj” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, nëse arti i vendeve të ish-Bllokut të Lindjes (ku dikur bënin pjesë Kosova e Shqipëria) arrin që t’i bëjë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore.

“Duke i bërë bashkë tre artistë të shquar nga Shqipëria, kuratorja Varvarica-Kuka synon gjithashtu të ndërthurë dhe ballafaqoj në njohje dhe komunikim, artin pamor të krijuesve shqiptar nga të dy anët e kufirit administrativ Kosovë-Shqipëri. Tre artistë, tri forma, tre preokupime vetjake dhe piktura janë bërë bashkë në ekspozitën “Post-avangarda lindore”, e cila ka si mision t`i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek. XXI”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Galerisë së MKRS-së.

Qëllimi i kësaj ekspozite, është të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës. Krijimtaria e kësaj ekspozite e pasuron gjuhën e botës krijuese të artistëve shqiptarë të sistemit dhe historisë ndërkombëtare të artit.

Post-avangarda…, sipas njoftimit të Galerisë “Qafa”, i bënë bashkë tre artistët e rinj shqiptarë, të cilët aplikojnë gjestin e pikturimit mbi telajo, sjellin natyrshmërinë e krijimit vetjak, mbi të cilin aspirojnë profesionalizëm dhe dëshirë, si dhe i kushtëzohen trajtesave të njohura dhe praktikave të sprovuara të artistëve ndërkombëtarë, që u shfaqën nga mesi i shek. XIX e vijojnë deri në kohën tonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2019.