Kalaja e Novobërdës përplasë ekspertët në takimin konsultativ

Drejtues të institucioneve të trashëgimisë dhe ekspertë të kësaj fushe janë përplasur sot gjatë një takimi konsultativ për gjendjen e krijuar në Kalanë e Novobërdës.

Takimi konsultativ është mbajtur në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i thirrur nga drejtori i këtij instituti Ismet Hajrullahu.

Qëllim i takimit ishte për të gjetur një zgjidhje për gjendjen e krijuar në Kalanë e Novobërdës, deri në nisjen e ri-renovimit të Kalasë.

Por, takimi konsultativ nuk nxori ndonjë ide se çfarë duhet të bëjnë institucionet për mbrojtjen e Kalasës në Novobërdë, përveç se punimet të mos vazhdohen deri vitin e ardhshëm dhe të merren masa për mbrojtjen e kalasë gjatë periudhës dimërore.

Gjatë debatit më shumë u dëgjuan mos pajtime nga pjesëmarrësit rreth asaj çfarë ka ndodhur gjatë renovimit, se sa ndonjë ide si të veprohet më tutje.

Në fillim drejtori i IKMM, Hajrullahu, kërkoi nga të pranishmit që të shpalosin idetë e tyre për t`u mbrojtur monumenti, pasi siç tha ai, kalaja ndodhet para një shkatërrimi për shkak të keqrenovimit nga firma “Koto”.

“Kalaja është në një gjendje shumë të rëndë si pasojë e një pune jo profesionale të bërë nga kompania ‘Koto’. Ky takim është thirrur për të ndihmuar për të gjetur një mënyrë për ta shpëtuar kalanë nga shkatërrimi”, ka thënë Hajrullahu.

Avni Manaj, ekspert i IKMM ka pohuar se Zyra e UNESCO-s në Sarajevë, ka bërë një projekt për ri-renovim pas raportimeve të IKMM.

“Ai projekt është duke u përkthyer nga zyra e UNSECO-s në gjuhën shqipe dhe po sa të vijë, do të diskutohet në Komisionin e IKMM për rastin e Kalasë së Novobërdës”, ka thënë ndër të tjerash Manaj.

Kurse Isuf Koci udhëheqës ekzekutiv në Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore ka thënë se renovimi i Kalasë së Novobërdës qysh në fillim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe ka shkuar keq.

“Ky projekt nga fillimi nuk është bërë ashtu siç e parasheh ligji për trashëgimin kulturore  dhe aktet tjera nënligjore. Kompania që i ka kryer punimet ka përgjegjësi, ndoshta edhe penale dhe kjo kompani nuk mund të vlerësojë dëmet që i ka bërë vet”, ka thënë Koci

Por, konkludimet se gjithçka ka shkuar keq dhe aty ka pasur gërmime arkeologjike janë kundërshtuar nga drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

Rexha ka thënë se rasti nuk duhet të politizohet, por të duhet evidentuar problemi dhe të merren masat për mbrojtjen e monumentit.

“Punimet për rivitalizimin e Kalasë së Novobërdës kanë shkruar me procedurë të shpejtë. Ky është një projekt ndërkombëtar, procedurat nuk janë shkelur nga UNESCO në hierarki”, ka thënë ai.

Ndërsa, Xhejlane Hoxha, eksperte në fushën e trashëgimisë monumentale ka thënë ndër të tjerash gjatë fjalës së saj, se do të ishte mirë që gjithë ajo punë që është bërë nga firma serbe të bie në tokë. Pasi siç ka thënë ajo krejt renovimi është bërë jashtë standardit.

“Pas ndërhyrjes monumentit i është ndërruar autenciteti duke u veçuar vetëm një shtresë historike. Tani ky monument më shumë i ngjanë një sillosi sesa një kalaje mesjetare”, ka thënë ekspertja Hoxha.

Gjatë takimit kanë folur edhe ekspertë tjerë të cilët kanë dhënë edhe sugjerimet e tyre rreth mbrojtjes së monumentit.

Sipas ekspertëve, gjithë fasada e mureve që është vendosur gjatë renovimit të kalasë nga firma “Koto” është fryrë dhe do të bie. Po sipas tyre dëmet janë shkaktuar për shkak të punëve joprofesionale që janë bërë nga firma serbe.

Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në 2015 me mbështetje financiare të Këshillit të Evropës prej 1.1 milion eurove, të cilat pastaj iu deleguan UNESCO, zyra për Evropën juglindore në Sarajevë.

Hartimi i projektit për konservim-restaurim është bërë nga kompania kroate  “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Të dy kompanitë u përzgjodhën nga UNESCO.

Por në mars të këtij viti ishin raportuar se pjesë të fasadës së mureve të rinovuar nga “Koto” kishin rënë dhe pas kësaj i ishte kërkuar punëkryesit “Koto” të rikthehet për sanimin e dëmtimeve.

Në korrik të këtij muaji IKMM, i cili nga mesi i këtij viti mbikëqyr punimet në Kalanë e Novobërdës, kishte aprovuar lejen për ripunime në Kala nga “Koto”.

Por, në fillim të këtij muaji IKMM ndaloi punimet e firmës serbe “Koto” pasi ishte zënë duke përdorur buldozer për restaurimin e mureve të Kalasë së Novobërdës.

Ndërkaq Ministria e Kulturës ka iniciuar një padi për firmën “Koto” dhe përfaqësuesit e saj.

Punimet në Kala pritet të nisin pasi Komisioni i IKMM të vlerësojë projektin për ri-restaurim të kalasë i cili pritet të vijë nga zyra e UNESCO-s në Sarajevë.