Kadri Veseli viziton QKK, lavdëron ministrin Kujtim Gashi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka lavdëruar ministrin e Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi për, siç ka thënë ai luftën kundër korrupsionit, gjatë një vizite që bëri sot së bashku me Gashin në Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka pohuar se ministri Kujtim Gashi, me punën e tij dhe luftën kundër korrupsionit, duke mbyllur xhirollogaritë abuzive, ka arritur të shpëtojë qindra mijëra euro që janë investuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës për sponsorizimin e filmave, të cilët ia kanë zbardhur fytyrën Kosovës në festivale ndërkombëtare.

“Me paratë e kursyera u janë krijuar më shumë mundësi reale të rinjve tanë. Duke i kanalizuar investimet në drejtimin e duhur, ne kemi bërë të mundur mbështetjen e artistëve të rinj, që po e çojnë artin në nivele internacionale dhe po na bëjnë gjithnjë e më shumë krenarë. Si rezultat i luftës kundër korrupsionit, ministri Gashi e ka dyfishuar buxhetin e Qendrës Kinematografike, duke mundësuar prodhimin e filmave që kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm në nivel botëror”, ka shkruar Veseli në facebook.