Ka vdekur studiuesi i folklorit Fazli Syla

Fazli Syla, studiues i folklorit dhe veprimtar i arsimit ka vdekur sot në moshën 85 vjeçare. Lajmi për vdekjen e Sylës është dhënë edhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku Syla punoi për shumë vjet si studiues i folklorit.

Syla u lind në Istog në vitin 1935, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i përfundoi në Shkup, kurse studimet pasuniversitare i kreu në Zagreb e Prishtinë.

Ishte gazetar e punëtor arsimi, ndërsa nga viti 1978 edhe ligjërues në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Mbajti edhe shumë pozita tjera me rëndësi kulturore dhe arsimore në institucionet kosovare të kohës. Shumë vjet punoi në Institutin Albanologjik, punëtor shkencor, zëvendësdrejtor dhe drejtor i këtij institucioni.

Syla është autor i disa veprave si: “Poezia popullore e kaçakëve” (1982), “Kënga dhe ngjarja historike” (1988), “Veprimtaria shkencore në Kosovë” (1995), “Çështje të folklorit shqiptar (1998), “Vëzhgime kumtime” (2007), “E kaluara në poezinë tonë popullore” (2012), “Në rrjedhat e kohës –dëshmi dhe përjetime” (2015), etj.

Ka dhënë ndihmesë edhe në përgatitjen për botim të materialeve folklorike, të anekdotave, të këngëve kreshnike dhe të këngëve historike, të gjitha të botuara në vëllime të veçanta nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Dy vëllime me anekdota dhe katër vëllime me këngë historike e bëjnë dr. Fazli Sylën bashkautor në rreth 3,000 faqe materiale të botuara të trashëgimisë sonë folklorike. Ishte edhe bashkautor dhe hartues i teksteve shkollore, sikundër edhe i dhjetëra zërave bibliografikë studimorë të botuar në shtypin dhe revistat shkencore të kohës.

Varrimi i Profesor Fazli Sylës bëhet më 29.8.2020, në Istog, në përputhje me rrethanat e krijuara nga pandemia.