Omer Kaleshi. Foto: MKRS.

Ka vdekur piktori Omer Kaleshi 

Omer Kaleshi, piktori i njohur me origjinë shqiptare, ka vdekur sot në moshën  90-vjeçare. 

Lajmi për vdekjen e piktorit Kaleshi është bërë i ditur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në Facebook. 

“Artisti Omer Kaleshi, piktori i ‘kokave’, të cilat na bëjnë të mendojmë për veten dhe për të tjerët si një, nga sot nuk është më në mesin tonë.  Ishte piktor kërçovas, por i takonte gjithë botës”, thuhet në njoftim. 

Sipas MKRS, opusi i tij nuk njohu kufij, duke u prezantuar në kryeqendrat artistike botërore për dekada me radhë. 

“E ngërthyer që moti në qelizën e artit modern shqiptar, krijimtaria e tij do të mbetet gurthemel për gjeneratat e ardhshme ku do të ndeshin modernen shqipe, por edhe tradicionalen më të gjerë mbarëballkanike”, thuhet më tej në njoftimin e MKRS-së me rastin e vdekjes së piktorit Kaleshi. 

Omer Kaleshi ka lindur më 1932 në Sërbicë të Kërçovës. Filloren e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Shkup.  

Pas viteve 1950-të emigroi në Turqi dhe më 1959 filloi studimet për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll. Aty edhe hapi ekspozitën e parë personale në galerinë “Robert Collage” të Stambollit. Më pas u vendos në Paris. 

Gjatë karrierës së tij Kaleshi hapi një sërë ekspozita në galeritë më të njohura në Evropë, Azi, Afrikë e Amerikë.