Ka vdekur albanologu gjerman Wilfried Fiedler

Albanologu gjerman Wilfried Fiedler ka vdekur sot në moshën  86 vjeçare në Gjermani. Ai konsiderohet një prej gjuhëtarëve më të shquar gjerman dhe njëri nga albanologët më të rëndësishëm të kohës sonë.

Lajmi për vdekjen e albanologut të njohur e kumtoi Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës përmes një komunikate për media.

Akademik Fiedler ka lindur në Oberfrohna të  Gjermani në vitin 1933. Në vitet 1951-1955 ai ndoqi studimet për sllavistikë dhe për filologji të tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Humboldit në Berlin.

Pas vitit 1955 ishte bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave në Berlin. Bashkë me Erih Stokmanin mori pjesë në ekspeditën në Shqipëri.

Nga viti 1959 ishte mësimdhënës për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Berlin. Më 1959 qëndroi për qëllime hulumtimi në Shqipëri. Më 1961 doktoroi në fushën e ballkanologjisë në Universitetin e Humboldit.

Fiedler ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e gjuhësisë (1963-1967) dhe në Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin (1967-1968). Bashkë me Oda Buholcin (Buchholz) drejtoi grupin hulumtues për ballkanistikë në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave në Republikës Demokratike të Gjermanisë në Berlin (1968-1988).

Prej vitit 1989 dhe deri më 1998 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludëig-Maximilian” në Munih. Më 1991 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Oda Buholcin (“AlbanischeGrammatik”, Leipzig 1987). Bashkë me Buholcin dhe Gerda Uhlisch hartoi fjalorin shqip-gjermanisht, ndërsa bashkë edhe me Adrian Klosin fjalorin gjermanisht-shqip.

Lista e gjatë e studimeve nga fusha e albanologjisë dhe ballkanistikës përfshin monografitë njës sur studimesh me rëndësi për shqipe, si “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” (2004) dhe “Formimi i shumësit të gjuhës shqipe” (2010), botime të ASHAK-ut.

Vepra e tij për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut, në të vërtetë, është një monografi e gjerë (mbi 800 faqe) për gjuhën e këtij autori në tërësi, me një përqendrim te sistemi foljor. Monografia e tij për shumësin në gjuhën shqipe është rezultat i hulumtimeve prej disa dekadash dhe paraqet monografinë më të gjerë të shkruar ndonjëherë për këtë çështje.

Vepra e fundit e tij, e botuar po ashtu tek ASHAK-u më 2018 është Gramatika e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit, Pjesa I, Sistemi foljor, 826 faqe, gjermanisht, një nga kryeveprat e ballkanologjisë. Pritej të mbaronte pjesën II për sistemin foljor.

Gjithashtu, sipas ASHAK-ut,  Fiedler ka përkthyer dhe vepra të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndër to “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe novela të I. Kadaresë, poezi të M. Camajt, poezi të A. Podrimjes.

Ishte profesor i jashtëm për gjuhë shqipe në Institutin për Studime për Europën Juglindore në Universitetin e Jenës “FriedrichSchiller”.