Jusuf Osmani. Foto: Wikipedia
Jusuf Osmani: Vëllimi 'Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit', kundërvënie ndaj falsifikimeve serbe për Sanxhakun e Nishit
Studiuesi Jusuf Osmani ka botuar këtë muaj studimin historiografik në shtatë vëllime, “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit”. Me këtë studim Osmani rrumbullakësoi kërkimet e tij disa dekadashe për tragjedinë që i përcolli shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, pasi Serbia pushtoi atë zonë.
I mbështetur në fakte, materiale arkivore, studimi “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit” ofron një pasqyrë të përgjithshme rreth shpërnguljes me dhunë të banorëve të Sanxhakut të Nishit; vrasjet, shkatërrimin e pasurisë e deri tek vendosja e tyre në Shqipëri, Kosovës, Maqedoni, Turqi, e gjetiu.
Vëllimi po ashtu ofron informacione, gjithnjë të mbështetura në dëshmi dhe materiale arkivore, për qytete (kazatë) që ishin pjesë Sanxhakut të Nishit.
Në këtë Intervistë për KALLXO.com, Osmani flet për hulumtimet e kryera për muhaxhirët, vështirësitë dhe problemet në vjeljen e materialeve arkivore për të arritur tek e vërteta.
KALLXO.com: Kur nisët punë për botimin e studimit “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit”?
Jusuf Osmani: Shkenca serbe, e cila ishte në shërbim të politikës shtetërore shoviniste, përpiqej me çdo kusht të mohojë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe që shqiptarët t’i paraqesë jo autoktonë në Sanxhakun e Nishit, por edhe në Kosovë, Maqedoni e gjetiu. Në këtë drejtim falsifikonin faktet historike. Për ta realizuar këtë, në shërbim të kësaj politike serbomadhe, ishte vënë edhe Akademia serbe e Shkencave. Ajo, angazhohet, kinse për të bërë hulumtime dhe studime për vendbanimet dhe prejardhjen e popullsisë në trevat shqiptare. Për këtë qëllim kishte botuar edhe edicionin e vet me titull: “Naselje i poreklo stanovništva” (Vendbanimet dhe prejardhja e popullsisë).
Studiuesit e tillë, si historianët, gjeografët, etnologët, publicistët, merrnin për bazë jo faktet e vërteta dhe objektivitetin shkencor, por thashethemet që i kurdisnin vetë, materialin gojor të mbledhur në mënyrë tendencioze në terren ose disa të dhëna mesjetare tepër anësore, të pjesshme, bile, dhe këto, të interpretuar në mënyrë tendencioze e të njëanshme. U botuan një numër i madh i veprave dhe i punimeve të tilla për shumicën e vendbanimeve në trevat shqiptare, në rastin konkret edhe të Kosovës dhe më gjerë.
Me qëllim që t’iu kundërvihem atyre shkrimeve tendencioze, pa baza shkencore fillova hulumtimet dhe grumbullimin e të dhënave për vendbanimet e Kosovës, të cilat i botova në 20 vëllime që nga viti 2003 deri më 2008. Gjatë hulumtimeve merrja të dhëna edhe për familjet shqiptare muhaxhire të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit më 1877/78. Këto të dhëna pastaj i plotësova me hulumtimet arkivore në arkivat dhe bibliotekat e ndryshme të vendit, rajonit dhe të botës, por edhe vizitova shumë vendbanime me muhaxhirë, përveç në Kosovë edhe në Turqi, Maqedoninë Veriore dhe Shqipëri. Rezultatet e këtyre hulumtimeve për shqiptarët e Sanxhakut të Nishit – muhaxhirët i përfundova në fillim të vitit 2021.
Faktet për Sanxhakun e Nishit
KALLXO.com: Cilat ishin sfidat me të cilat jeni përballur gjatë shkrimit të kësaj historie të shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit?
Jusuf Osmani: Për të realizuar një projekt të tillë hulumtues e shkencor, është dashur një përkushtim dhe vullnet i fortë, që nuk ka munguar. Jemi përpjekur që brenda mundësive të kufizuara, të vjelim sa më shumë të dhëna dhe fakte nga literatura dhe burimet serbe, apo nga burimet e huaja, sidomos ato osmane, nga raportet e diplomatëve të fuqive të mëdha dhe të korrespodentëve të agjencive të huaja, por edhe nga burimet në terren, në çdo vendbanim ku ishte vendosur popullata muhaxhire shqiptare, nga kujtimet e përcjella brez pas brezi, edhe pse ato mjaft ishin zbehur. Të dhënat për shqiptarët e Sanxhakut të Nishit në shumë burime ishin kontradiktore, andaj është dashur që në to të gjejë dhe të prezantoj të vërtetën shkencore në mënyrë sa më objektive.
Në shtjellimin e kësaj teme jam mbështetur në metodologjinë arkivore të prezantimit të të dhënave, me që kjo është edhe në kompetencën time si arkivist. Të dhënat dhe dokumentet i kemi përpunuar dhe prezantuar në: tërësi (in extenso), formë të regestave, regestave të zgjeruara, tërë dokumenti ose pjesë të dokumentit, kombinimi i regestit me paraqitjen e pjesshme te dokumentit, të tabelës statistikore dhe të tabelës përmbajtjesore. Të dhënat e prezantuara janë dokumente të hulumtuara në arkiva e biblioteka të ndryshme, dokumente të botuara në vepra e revista të ndryshme, në gazeta të kohës, ekstrakte nga botimet e ndryshme, rrëfime e dëshmi nga pasardhësit e familjeve muhaxhire.
Puna në hulumtimin dhe grumbullimin, shtjellimin dhe prezantimin e të dhënave por këtë çështje ishte mjaft e mundimshme dhe kishte mjaft vështirësi. Ka kërkuar qasje profesionale e shkencore, është dashur kohë e gjatë dhe punë në bashkëpunim me personalitete dhe institucione përkatëse. Vështirësitë ishin të shumta. Në radhë të parë për shkak se ishte temë mjaft e vëllimshme, mungonin dokumentet autentike arkivore, kundërthëniet në mes dokumenteve arkivore, qëllimet e fshehta të paraqitura në dokumente, etj. Mirëpo, problemi më i madh ishte lirimi nga disa qëndrime ekzistuese shoviniste, të njëanshme dhe jo objektive që ekzistonin në dokumente e në disa vepra e artikuj të gazetave e revistave përkitazi me prezantimin e të dhënave për pushtimin serb të trevave të Sanxhakut të Nishit, dëbimin e popullatës, dhunën, terrorin, vrasjet ndaj popullatës vendëse shqiptare e myslimane, rrënimin e vendbanimeve dhe çdo gjëje që kishte të bënte me shqiptarët. Aty ishin paraqitur të dhënat në mënyrë jo objektive dhe të paargumentuar, mbështetur në tendencat politike që kanë ekzistuar në atë kohë. Madje ka raste kur në disa dokumente arkivore janë paraqitur edhe të pavërteta. Mirëpo, ç’t’i bësh, siç dihet, jo rrallë, një gjë e pavërtetë, e përsëritur disa herë me anë të propagandës, demagogjisë, gënjeshtrave e sidomos me ndihmën e luftërave, mund të bëhet “e vërtetë”. Prandaj, është dashur që të bëjmë vlerësimin sa më objektiv për të gjithë komponentët. Pavarësisht nga të gjitha këto, paraqitja ideale dhe e përsosur në këtë formë e të dhënave është e pamundur.
Një ndër vështirësitë në radhë të parë ishin emrat e vendbanimeve të regjistruar në defterët kadastrorë të pronave, që në të shumtën e rasteve nuk përputhën me emrin e sotëm.
Rreth vendosjes së muhaxhirëve të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit në treva të shumta, në gjetjen e tyre, po ashtu kishte vështirësi, sidomos për shkak të lëvizjes së tyre prej një vendbanimi në tjetrin. Muhaxhirët që nuk e kanë ruajtur emrin e vendbanimit si mbiemër të tyre, në shumë raste nuk e dinë vendbanimin nga i cili kanë ardhur. Mirëpo, duhet theksuar se një ndihmesë të madhe në realizimin e këtij projekti më kanë shërbyer librat e dr. Sabit Ukës që flasin për dëbimin e popullatës shqiptare nga Sanxhaku i Nishit. Dr. Sabit Uka ka bërë një punë kolosale përkitazi me këtë tematikë, unë vetëm kam vazhduar punën e tij, ndoshta edhe dikush tjetër do të vazhdoj punën time, sepse për shqiptarët e Sanxhakut të Nishit ka nevojë të shkruhet edhe më tutje e të trajtohen shumë tema nga lëmi të ndryshme.
KALLXO.com: Sa ka qenë e vështirë për ju mbledhja e informacioneve nga burimet serbe, por edhe ato osmane për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?
Jusuf Osmani: Çdo hulumtim arkivor në arkiv, bibliotekë, në terren të informatorët, etj. kërkon përgatitje paraprake. Hulumtime në arkivat e Serbisë i kam bërë në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar për temën time të doktoraturës. Në ndërkohë kam gjetur disa të dhëna për muhaxhirët të cilët i kam marrë. Më vonë, për shkak të gjendjes politike ka qenë e pamundur hulumtimi në këto arkiva, por në mënyra të ndryshme kam ardhur në të dhënat që gjenden në këto arkiva që janë të shumta, por disa ende nuk ka qasje siç janë ditarët e disa pjesëtarëve të ushtrisë serbe që kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në pushtimin e Sanxhakut të Nishit. Sa i përket arkivave turko-osmane, ato janë të hapura dhe në bashkëpunim me kolegët që e njohin gjuhën osmane-turke kemi hulumtuar dhe i kemi përkthyer dhe botuar në këtë edicion të librave. Me rëndësi janë dokumentet kadastrale të tapive që ruhen në Arkivin e Kadastrës dhe të Pronave në Ankara. Këto dokumente që kanë të bëjnë me Sanxhakun e Nishit janë botuar por në versionin e regestit të shkurtër. Kam vizituar edhe disa vendbanime ku jeton popullata shqiptare në Republikën e Turqisë, ku pjesa dërmuese janë me prejardhje nga Sanxhaku i Nishit. Në arkivat turke ka shumë dokumente për të kaluarën historike të popullit shqiptarë, por për këto hulumtime duhet punë ekipore, institucionale dhe nga personat që njohin gjuhë turko-osmane dhe merren me këtë tematikë.
Sanxhaku i Nishit para pushtimit
KALLXO.com: Si ishte Sanxhaku i Nishit para pushtimit nga Serbia, si jetonin shqiptarët atje në atë kohë?
Jusuf Osmani: Sanxhaku i Nishit ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, që përbëhej nga Kazatë e Kurshumlisë, Urkubit (Prokuplës), Leskovcit, Vranjës, Nishit dhe Sheherkoj (Pirotit).
Në këtë Sanxhak, shqiptarët jetonin në 716 vendbanime, fshatra, qytete e qyteza, prej tyre pjesa dërrmuese me popullatë të pastër etnike shqiptare, e të tjerët me popullatë të përzier serbe, turke, çerkeze, rome, etj. Shqiptarët nëpër fshatra merreshin me bujqësi dhe blegtori, ndërsa ata në qytete e qyteza merreshin edhe më zejtari, tregti dhe veprimtari të tjera.
Banorë të Sanxhakut të Nishit, por më herët banorë edhe të shumë fshatrave, qytezave dhe qyteteve të Serbisë së sotme, pjesa dërrmuese ishin shqiptarë. Historiografia serbe, ata i quan turq. Mirëpo, një autor serb (Tihomir Gjorgjeviq) edhe vetë i demanton të tjerët. Ai, në mes të tjerash, shkruan: “Vetëm pashallarët, nëpunësit e tyre, që kanë ardhur me ta, diçka më shumë ushtarë e ndonjë qytetar ishin turq të vërtetë”.
Kjo dëshmon se ata ishin kryesisht shqiptarë, apo ndonjë i krishterë i islamizuar. Nëpër qytete jetonin disa familje turke, kryesisht beglere e agallare, nëpunës, oficierë e ushtarë. Në fshatra të Sanxhakut të Nishit banorët ishin kryesisht shqiptarë myslimanë, e ndonjë çerkez, por kishte edhe vendbanime me popullatë të përzier (shqiptarë, serbë, turq, romë, etj.) ose vetëm me popullatë serbe, ndërsa beglerët dhe agallarët, disa prej të cilëve ishin turq, jetonin në qytete por çardaqet dhe objektet ekonomike për grumbullimin e të mirave materiale i kishin edhe nëpër fshatra. Lidhur me këtë, disa burime serbe shkruajnë se popullata në vendbanimet e qyteteve në Serbi, para Kryengritjes së Parë Serbe, në pjesën më të madhe ishte “turke”. Serbë kishte shumë pak. Aty-këtu kishte edhe popullatë tjetër, ndonjë grek ose cincar, zakonisht mejhanexhi ose bakall, ndonjë cincar, armen dhe hebre. (Tatomir P. Vukanović, Naselja u Srbiji u doba prvog srpskog ustanka 1804-1813).
KALLXO.com: Sa është numri i popullsisë që u detyruan të largohet nga Sanxhaku?
Jusuf Osmani: Të dhënat zyrtare osmane të popullsisë nuk i ndanin myslimanët në bazë të përkatësisë së tyre etnike apo gjuhësore. Shumë perëndimorë, ashtu si edhe vetë qeveria osmane, islamin e konsideronin pothuajse si kombësi dhe, rrjedhimisht, ishin të gatshëm që të gjithë myslimanët t’i klasifikonin në një kategori të vetme. Te disa popuj ballkanikë termi mysliman ka qenë sinonim i termit turk, andaj nuk posedojmë me evidenca të sakta për numrin e popullatës shqiptare, duke përfshirë edhe atë turke, çerkeze, rome, etj. myslimane të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit. Mirëpo, sipas disa shënimeve nga autorët e ndryshëm vlerësohet se nga ai Sanxhak janë shpërngulur rreth 250,000 persona që jetonin në 716 vendbanime me popullatë shqiptare dhe me popullatë të përzier – serbë, turq, romë, etj.
KALLXO.com: Cilat janë përmasat e krimeve të regjistruara që kryen forcat serbe gjatë luftës së viti 1877/78 dhe pse ushtria osmane nuk mbrojti banorët e asaj ane nga forcat serbe?
Jusuf Osmani: Familjet e dëbuara shqiptare por edhe të tjera nga Sanxhaku i Nishit në dimrin e viteve 1877-1878, në kushte të vështira klimatike lanë tërë pasurinë dhe tërë atë që kishin, vetëm për ta shpëtuar kokën.
Në Sanxhakun e Nishit u bë spastrimi etnik. Termi “spastrim etnik”, në përgjithësi, përfshin shpërnguljen ose largimin sistematik dhe të detyruar të anëtarëve të një grupi etnik nga vendet e tyre për të ndryshuar përbërjen etnike të një rajoni. Kjo bëhet në një territor të caktuar nga një grup etnik më i fuqishëm, me synimin për ta bërë etnikisht homogjen atë territor. Mjetet e përdorura mund të jenë të formave të ndryshme, të migrimit të detyruar (deportimi, transferimi i popullsisë), frikësimi, përdhunimi, deri te vrasja në masë, ose gjenocidi. Spastrimi etnik zakonisht shoqërohet me përpjekjet për të zhdukur nga territori dëshmitë fizike dhe kulturore të grupit që dëbohet, nëpërmjet shkatërrimit të shtëpive, qendrave sociale, fermave dhe infrastrukturës, si dhe duke përdhosur monumentet, varrezat dhe vendet e kultit. Të gjitha këto forma të spastrimit etnik, pushteti serb i ka zbatuar në Sanxhakun e Nishit. Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, ky pastrim i territorit, është krim, andaj, prapë sipas kësaj të drejte, krimi nuk vjetërsohet. Përveç spastrimit etnik, pushtuesit janë munduar që t’i humbin edhe gjurmët materiale të pranisë së shqiptarëve në ato treva. Kjo është bërë me qëllim të humbjes së gjurmëve
Muhaxhirët e dëbuar varfërohen në masë të madhe, sepse mbesin pa mjetet elementare për jetesë, pa shtëpi, pa veshmbathje, pa ushqimi dhe gjëra të tjera për ekzistencë. Ata jetonin në kushte skajshëm të mjerueshme.
Shqiptarët u organizuan në mbrojtje të atdheut dhe të familjeve të tyre, por forcat e mëdha serbe në mbështetje të forcave ruse dhe mercenarëve francezë, rumunë, etj. u detyruan të tërhiqen. Perandoria osmane në atë kohë përjetoi një krizë të thellë diplomatike dhe ushtarake. Ajo ishte përqendruar në mbrojtje të Stambollit nga forcat ruse të cilat kishin arritur shumë afër tij. Disa garnizone u organizuan në mbrojtje të trevave të Sanxhakut të Nishit, por pa ndonjë sukses, kështu që ishin të detyruar të tërhiqen.
KALLXO.com: Pse fuqitë e kohës lejuan serbët të kryenin masakrat ndaj popullsisë civile, duke pasur parasysh se pushtimi i Sanxhakut të Nishit ndodhi me miratimin e tyre?
Jusuf Osmani: Fuqitë e Mëdha në atë kohë ishin të preokupuar rreth ndarjes së interesave në Ballkan dhe të pengonin depërtimin e Rusisë në Grykën e Bosforit. Qëllimi i vetëm i Fuqive të Mëdha ishte pengimi i shtrirjes së hegjemonisë ruse në Gadishullin Ballkanik dhe jo zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare të popujve të vegjël, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët. Shqiptarët me vendimet e Paqes së Shën Stefanit dhe vendimet e Kongresit të Berlinit u bindën se asnjëra nga Fuqitë e Mëdha nuk ishte e gatshme të përkrahte idenë e një shteti autonom shqiptar. Vetëm kërkesat e Fuqive të Mëdha për zvogëlimin territorial të Bullgarisë mund të shpëtonin disa toka shqiptare që i aneksoheshin asaj me Traktatin e Shën-Stefanit. Me vendimet e Fuqive të Mëdha Serbia jo vetëm që fitoi pavarësinë, por edhe zgjerimin e territorit të saj në sipërfaqe prej 10.972 km².
Shqiptarët e kësaj treve ranë viktimë e llogarive të borgjezive ballkanike dhe të atyre evropiane.
Plaqkitja e pasurisë së banorëve
KALLXO.com: A ka të dhëna rreth pasurisë së shqiptarëve që serbët grabitën pas shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku i Nishit?
Jusuf Osmani: Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut të Nishit, pas dëbimit të popullatës shqiptare ajo menjëherë filloi kolonizimin e atyre vendeve me elementin sllavë. Pronat e shqiptarëve, siç ishin arat, livadhet, pyjet, shtëpitë, oborret, mullinjtë, vreshtat dhe të tjera menjëherë u uzurpuan nga kolonët e rinjë ose nga banorët serbë të asaj treve. Nëpër qytete u uzurpuan dyqanet, punëtorit, objektet e vakëfit dhe të tjera. Për këto uzurpime ka të dhëna në disa ankesa të muhaxhirëve drejtuar shërbimeve diplomatike të disa shteteve evropiane që vepronin në trevën e Sanxhakut të Nishit.
Për mënyrën e përvetësimit të pronave të shqiptarëve ka të dhëna edhe në gazetën e kohës “Srpske Novine”, ku shumë avokat, tregtarë ose persona të tjerë serbë paditnin në gjyq shqiptarin e dëbuar kinse i ka mbetur borxh ose ia ka marrë ndonjë qerre, qe, buaj, kuaj, etj. gjatë ikjes. Gjykata caktonte seancën dhe në mungesë të pronarit shqiptarë, gjykonte në favor të paditësit. Kështu që shumë prona nëpërmjet të licitacionit shiteshin me çmime simbolike. Ka pasur raste kur ndonjë shqiptarë, sidomos ata të viseve kufitare kanë shkuar për ti shitur pronat, pushteti i atyshëm u kërkonte borxhe dhe taksa të shumta, madje ata plaçkiteshin apo vriteshin.
Fuqitë e Mëdha, vendimmarrëse të Kongresit të Berlinit, nuk ndërmorën ndonjë hap kundër Serbisë për ta detyruar atë që të zbatonte vendimet e këtij Kongresi lidhur me pronat. Kështu, Serbisë iu lanë duart të lira për t’i kthyer tokat shqiptare në toka të pastra serbe. Edhe Perandoria Osmane nuk qëndroi në lartësinë e detyrës ndaj këtij problemi.
Edhe pse në ndonjë rast kishte ndonjë kërkesë diplomatike, sidomos nga qeveria britanike, Serbia ato nuk e shpërfilli, me arsyetimin se “shqiptarët ishin shpërngulur vetë, pasi kishin luftuar kundër ushtrisë së saj”, deklarim që nuk qëndron sepse shqiptarët gjatë dimrit të vitit 1877/78 me dhunë ishin shpërngulur nga trojet e tyre arbërore.
Dëshmi për pronat e shqiptarëve dhe të tjerëve në Sanxhakun e Nishit janë tapitë e pronave që ruhen në Arkivin e Kadastrës dhe të Tapive në Ankara, të cilat në formë digjitale (përveç ato të Kazasë së Prokuplës) janë sjellur në Arkivin e Kosovës.
KALLXO.com: Pse familjet e të shpërngulurve nuk u kompensuan për pronat që iu grabitën nga shteti serb?
Jusuf Osmani: Në asnjë dokument arkivor apo burim tjetër nuk kam hasur se popullatës shqiptare iu është kompenzuar pasuria e lënë në Sanxhakun e Nishit. Edhe gjatë hulumtimeve në terren te familjet muhaxhire, askush nuk ka deklaruar se kanë marrë ndonjë kompenzim në të holla ose në formë tjetër të dëmshpërblimit për pasuritë që i kanë lënë. Popullata e dëbuar kishte ikur duke lënë tërë pasurinë e cila kurrë nuk iu është kompensuar. As shteti osman nuk iu kishte dhënë kurrfarë kompenzimi përveç tokave të utrinave të ndara, apo ndonjë shtëpie apo objekti tjetër të braktisur. Sipas normave ndërkombëtare e drejta për prona kurrë nuk vjeterësohet.
KALLXO.com: A ka të dhënë nëse nga dikush, qoftë familjarë, shteti shqiptar, Kosova apo ndonjë organizatë që të ketë kërkuar në ndonjë gjykatë apo institucione ndërkombëtar qoftë ri-kthimin e pasurisë së grabitur apo dëmshpërblim për ato prona?
Jusuf Osmani: Sipas një dokumenti anglez, Marrëveshja e Berlinit parashihte që pjesa e popullsisë joserbe, që do të shpërngulej nga territori i ri i këtij shteti, do të duhej të kompensohej nga arka e Principatës serbe. Ndaj pjesës së popullsisë që mbetej, duhej respektuar disa rregulla. Një gjë e tillë nuk u bë kurrë dhe popullata shqiptare, e shpërngulur në Kosovë e vise të tjera.
Disa pronarë të tokave dhe pasurive të tjera në Sanxhakun e Nishit kanë bërë kërkesa individuale apo kanë angazhuar avokat serb për kompensimin e pronave të tyre. Por, ato kërkesa janë refuzuar, por edhe nëse janë aprovuar iu janë llogaritur taksat shtetërore e komunale, shpenzimet rreth gjykimit, pagesat e avokatëve e shpenzime të tjera, të cilat kur llogariteshin në tërësi dhe caktimi i çmimit të ultë të pronave, pronari i vërtetë nuk nuk i mbetej të merrte asgjë.
Nuk kam hasur të dhëna se ndonjë institucion ndërkombëtar apo shteti osman kanë kërkuar kompenzim të pronave apo dëmshpërblim të popullatës shqiptare dhe në përgjithësi myslimane të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit.
KALLXO.com: Si u pritën të shpërngulurit e Sanxhakut të Nishit në pjesët tjera të ish-Perandorisë Osmane?
Jusuf Osmani: Ardhja e muhaxhirëve në Kosovë e gjetiu në trevat që ende ishin nën Perandorinë Osmane ishte brengë e madhe për ata vetë, por edhe për popullatën tjetër shqiptare vendëse. Pritja e popullatës shqiptare muhaxhire në pjesët tjera të Vilajetit të Kosovës që ishte nën Perandorinë Osmane ishte bërë varësisht prej vendit. Në disa vende ndihmohej nga popullata vendëse në ushqim e strehim. Me ardhjen e muhaxhirëve në disa treva, popullatës vendëse shqiptare, siç quheshin “jerli” iu ngushtua hapësira jetësore, duke filluar nga tokat punuese, malet, livadhet, kullotat dhe ujërat e përbashkëta për bagëti. Kjo ka ndikuar që muhaxhirët në disa lokalitete të mos jenë të mirëseardhur për vendësit. Ata u vendosën në shumtën e rasteve në periferi të vendbanimit duke krijuar lagje të veçanta, të quajtura muhaxhire. Po ashtu edhe disa beglerë e agallarë nuk e shiqonin me simpati ardhjen e tyre, edhe pse shumë muhaxhirë hynë në shërbim të tyre si çipçinjë. Pushteti osman në atë kohë kishte formuar komisione shtetërore për ndihmë të muhaxhirëve. Muhaxhirëve iu kishte ndalur në ndihmë edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
KALLXO.com: Ku jetojnë sot pasardhësit e shqiptarëve të Nishit?
Jusuf Osmani: Pasardhëardhësitë e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, në popull të quajtur muhaxhirët sot kryesisht jetojnë në Kosovë, në pjesën e trevës së Llapit, rrafshit të Kosovës, Anamoravës dhe më pak në viset tjera të Kosovës. Arsyeja e vendosjes në këto treva që ishin kryesisht në pjesët kufitare me Serbinë ishte shpresa se do të kthehen në vendlindje dhe të jenë sa më afër vatrave të tyre. Shumë muhaxhirë u vendosën edhe në territorin e Maqedonisë së sotme Veriore, Luginën e Preshevës, në territorin e Turqisë, Shqipërisë, madje edhe në Siri, Jordani e gjetiu.
KALLXO.com: Si duket sot ajo pjesë që dikur njihet si Sanxhaku i Nishit?
Jusuf Osmani: Menjëherë pas pushtimit serb të trevave të Sanxhakut të Nishit, organet e pushtetit në mënyrë të organizuar filluan t’i kolonizonin me elementin sllavë të sjellur nga Mali i Zi, Hercegovina, Serbia, etj. Atyre iu dhanë prona të mëdha të tokave, u vendosën në shtëpitë e parrënuara të shqiptareve. Sot ato treva të dikurshme shqiptare kanë ndërruar fizionominë dhe kanë mbetur pak gjurmë të elementit shqiptar, mysliman. Varrezat, xhamitë, teqet dhe objektet tjera të kulturës islame u shkatërruan. Ka mbetur ndonjë shtëpi, muri, pus apo ndonjë gjurmë tjetër.
Shumë shqiptarë, për arsye të ndryshme, nuk kishin mundur të largoheushin nga Sanxhaku i Nishit. Por, shkaqet kryesore ishin këto: Varfanjakët nuk kishin si të largoheshin, pasi nuk kishin mjete transporti, sidomos të qyteteve dhe të qytezave, e disa të tjerë për t’i ruajtur pasuritë dhe pronat mbesin aty, me shpresë se gjendja do të rregullohej. Por, kishte edhe raste kur për shkak të gjendjes së trishtueshme, panikut, etj. disa fëmijë kishin mbetur nëpër shtëpitë e tyre ose gjatë rrugës. Disa shqiptarë kishin mbetur në Toplicë, meqë gjatë dëbimit të dhunshëm e të menjëhershëm nuk kanë qëlluar në shtëpi. Këta kanë mbetur në Sanxhak të Nishit dhe atje edhe sot jetojnë pasardhësit e tyre, por të asimiluar, domethënë të serbizuar. Në qytetet dhe qytezat e Sanxhakut të Nishit, përveç varfanjakëve kishin mbetur edhe disa tregtarë, zejtarë, pronarë të tokave të shumta e të tjerë.
Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit ishin kryesisht të fesë myslimane, por ka pasur edhe të fesë katolike, aty-këtu edhe të fesë ortodokse. Shqiptarët myslimanë dhe ata katolikë vështirë asimiloheshin, kurse ata ortodoksë më lehtë, kuptohet sepse e kishin një kishë të përbashkët. Por, shqiptarët myslimanë, të mbetur në Sanxhak të Nishit, pas një kohe të caktuar në rrethana të tjera filluan të asimiloheshin ose të konvertohen në fenë ortodokse.
Shënim për autorin:
Jusuf Osmani ka lindur në fshatin Sllatinë e Madhe në Fushë Kosovë, më 1948. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Studioi për Gjeografi në Prishtinë, ndërsa më 1978 magjistroi në Zagreb. Kreu disa specializimin në disa vende në fushën e arkivistikës.
Më 1986 doktori në fushë të arkivistikës në Universitetin e Lubjanës me temën, “Lënda arkivore për reformën agrare dhe kolonizimin e Kosovës 1918-1941”.
Për rezultatet e arritura shkencore Osmani është shpërblyer me edhe çmime e mirënjohje nga institucionet.