Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi

Jepet premiera e shfaqjes ‘Kthimi i Karl Majit’

Teatri Kombëtar i Kosovës ka shfaqur të premten (16.10.2020) në mbrëmje premierën e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit” me regji të Blerat Nezirajt.

Më një publik të zgjedhur, i cili në disa raste respektonte dhe në disa jo masat anti- COVID-19, aktorët e shfaqjes për më se një orë e gjysmë, përmes parodisë, ironisë e paradoksit sollën në skenën e TKK-së perceptimin dhe etiketimet perëndimore për shqiptarët, njëkohësisht edhe nivelin primitiv të zhvillimeve qoftë politike apo kulturore që po ndodhin në Kosovë.

Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësyn ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-Socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera.

Gjithë ky udhëtim është përcjellë më reagime të publikut. Skenat komike dhe loja e aktorëve jepnin  një pasqyrë të një realiteti të hidhur të raporteve lindje -perëndim.

Pas shfaqjes regjisorja Blerta Neziraj ka thënë për KALLXO.com se tani i mbetet publikut për të dhënë vlerësimin për punë disa mujore të bërë nga ajo dhe stafi i shfaqjes.

“Unë jam e kënaqur me punën që e kemi bërë këto ditë, por kënaqësia i mbetet publikut. Natyrisht përfundimi, duartrokitet ishin  të ngrohta, tani presim se si do ta komentojnë njerëzit. Mendoj se kemi arritur atë që kemi dashur, dhe tashmë ia lëmë publikut”, ka thënë regjisorja Neziraj.

Ndërkaq, studiuesi Besim Rexhaj, ka thënë se publiku mund të gjejë shumëçka tek shfaqja “Kthimi i Karl Majit”.

“Publiku duhet të vijë në shfaqje me idenë që ta njohin vetëvetën ta njohin me mirë mendimin e botës, mendimin e të tjerëve për neve dhe kësaj rruge duke pasur një ide të qartë tërë të metat mangësitë paradokset, kundërshtitë për nivelin shumë primitiv të zhvillimeve tona aktuale qoftë politike qoftë shoqërore. Shikuesi mund ta keni një këndvështrim real sepse vetëm duke konstatuar gjendjen reale të vetvetes  eventualisht mund të realizohen kthesa ndërrime e të ngjashme”, ka thënë Rexhaj, profesor në Fakultetin e Arteve në UP.

Po ashtu, sipas tij, përmes kësaj shfaqje ne e njohim edhe mendimin e të tjerëve për neve.

Në të dyja aspektet, shton Rexhaj,  qoftë me idenë e njohjes së vetvetes qoftë të mendimit e të tjerëve për neve, nëpërmjet parodizimit të situatës, parodizimit të mentalitetit, parodizimit të veprimeve dhe të praktikave jetësore qoftë te ne, përkatësisht shoqërisë kosovare qoftë të vetët Ballkanit, shfaqja e bënë  Evropën, në një mënyre apo tjetër bashkë fajtore për paradokset në të cilat jetojmë ne si shoqëri

“Këtu duhet veçuar dhe lojën e aktorëve, një lojë që  kërkon kondicion, fokusim, energji dhe me më shumë se sa një orë e gjysmë aktorët ia kanë dalë mbajnë ambientin të mbajnë atmosferën, të krijojnë shtimungun e duhur,  të artikulojnë parodinë, ironinë, paradoksin dhe kësisoj aritën praktikisht të komunikojnë me publikun”, ka pohuar Rexhaj.

Shfaqja “Kthimi i Karl majit’ me nën titullin, “Një shfaqje argëtuese për popullin gjerman”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes- superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes.

“Shfaqja i bënë një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”, dhe e cila, në babelin e letrave burokratike të EU-së na vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet!”, thuhet ndër të tjerash në sinopsisin e shfaqjes.

Në Shfaqje luajnë: Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpëtim Selmani. Skenografinë dhe kostumet nga Jelisaveta Tatić Čuturilo, koreografia nga Gjergj Prevazi, kompozimin e muzikës e ka bërë Gabriele Marangoni, kurse dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik është Alban Beqiraj.

Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi
Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi
Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi
Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi
Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi
Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi