Pamje nga premiera e filmit ‘Run for Sharr’. Foto: KALLXO.com

Jepet premiera e filmit ‘Run for Sharr’

Organizuar nga Fondacioni “Utalaya ” dhe Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Natyrës (WWF Adria) është shfaqur sonte në Kino Armata në Prishtinë filmi dokumentar “Run for Sharr” (Vrapo për Sharr).

Për më se 15 minuta, filmi “Run for Sharr” pasqyron gjithë gjeografinë e Malit të Sharrit; kodrat, lumenjtë, kafshët e rralla e bimët.

Filmi është një thirrje për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, të cilën dora e njeriut po e shkatërron dita-ditës.

Pas shfaqjes, zyrtarë të institucioneve vendore e ndërkombëtare lavdëruan punën e bërë nga Uta Ibrahimi dhe ekipi i saj që realizuan filmin.

Natasha Kalauz, drejtoreshë ekzekutive  e WWF Adria, ka thënë gjatë fjalës së saj se duhet bërë më shumë për mbrojtjen e natyrës.

Ajo tha se Uta Ibrahimi dhe ekipi i saj kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, jo vetëm duke treguar pasurinë natyrore të Kosovës, por edhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e saj.

“WWF është e përkushtuar në ruajtjen e natyrës dhe ofron mundësi dhe bashkëpunim për ruajtjen e kësaj pasurie edhe në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Kalauz.

Lorik Pustina, udhëheqës i Zyrës së Koordinatorit të Agjencive të OKB-së në Kosovë, ka thënë se për vite në Parkun Nacional të Sharrit (Malet e Sharrit) po vërehen degradime.

“Ne si OKB në Kosovë ne do të vazhdojmë t’i përkrahim iniciativat sikurse kjo e Utës, do të vazhdojmë të mbështesim institucione që të ruhet natyra”, ka thënë Pustina.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se me këtë dokumentar Uta Ibrahimi ka shfaqur gjithë pasurinë  e Sharrit, njëkohësisht dhe degradimin që po i bëhet nga njerëzit.

“Ky film duhet të shfaqet në shkolla e televizione, që të gjithë të dinë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit”, ka thënë ajo.

Ndërsa, protagonistja e mbrëmjes, Uta Ibrahimi, ka thënë se dokumentari “Run for Sharr” duhet të shërbejë për të mbrojtur Sharrin nga shkatërrimi që po i bëhet.

“I rrallë është edhe rrëqebulli i Sharrit, por gjuetia e paligjshme është duke i dhënë fund ekzistencës së kësaj kafshe. Ndërtimet në zonën e mbrojtur, ndërtimi i hidrocentraleve pa kurrfarë planifikimi, prerja e drunjve e gjuetia ilegale duhet të ndalen. Vetëm në 5 vjetët e fundit janë prerë 20 mijë metra kubë dru”, ka thënë Uta Ibrahimi.

Në fund pjesëmarrësit u ftuan të regjistrojnë kodin përmes të cilit mund të raportojnë dëmtimet që i bëhen ambientit.

Filmi “Run for Sharr” është xhiruar në gusht të vitit 2021 gjatë maratonës 4-ditore të organizuar nga Fondacioni “Utalaya” dhe WWF Adria,  dhe qëllimi është mbrojtja e promovimi i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

Pamje nga premiera e filmit ‘Run for Sharr’. Foto: KALLXO.com

 

Pamje nga premiera e filmit ‘Run for Sharr’. Foto: KALLXO.com

 

Pamje nga premiera e filmit ‘Run for Sharr’. Foto: KALLXO.com