Jakup Ferri hap ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare

Në vlugun e pandemisë së Coronavirusit, Galeria Kombëtare e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e ekspozitës personale të Jakup Ferrit. Ekspozita do të hapet më 1 gusht 2020.

Ekspozita hapet pavarësisht faktit se qeveria ka urdhëruar pezullimin e të gjitha aktiviteteve kulturore në hapësira të mbyllura. Mirëpo, drejtues të GKK-së kanë thënë për Kallxo.com se nuk do të ketë ceremoni as ndonjë organizim me rastin e hapjes së kësaj ekspozite.

Në këtë ekspozitë Ferri do të shpalos punën e tij 15 vjeçare, me piktura, vizatime dhe tapiseri.

Arta Agani, drejtoreshë e GKK-së ka thënë se për të parë ekspozitën publiku duhet të respektojë masat e marra nga institucionet për mbrojtje nga COVID-19.

“Ne nuk do të organizojmë aktivitet kulturor si hapje e as evente të ngjashme. Ne vazhdojmë me programin e GKK. Ekspozita qëndron e hapur për vizitorë, me numër të limituar dhe me masat parandaluese”, ka thënë Agani për Kallxo.com.

Ndërkaq, autori i ekspozitë Jakup Ferri ka shkruar në rrjetin social, Facebook se ekspozita do të hapet pa ceremoni, për shkak të rrethanave me COVID-19.

“Ka qenë shumë e vështirë që t’i sjellim 100 punime nga Holanda, falenderoj Galerinë Kombëtarë të Arteve dhe Komunën e Prishtinës të cilët ndihmuan shumë rreth gjithë këtij organizimi”, ka shkruar Ferri në Facebook.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorë në orar të zakonshëm, kurse vizitorët duhet të respektojnë masat rekomanduara nga IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19.