Librat - Foto: KALLXO.com

Izolimi gjatë pandemisë shtyu qytetarët të lexojnë, libraritë tregojnë për librat më të shitur

Monotoninë e shkaktuar nga izolimi gjatë pandemisë qytetarët janë munduar ta thyejnë në mënyra të ndryshme.

Dikush ka shikuar filma, dikush ka fjetur më shumë, e shumë të tjerë kanë gjetur një mënyrë më të mirë për ta vrarë kohën – ata kanë lexuar libra të zhanreve nga më të ndryshmet.

KALLXO.com ka kontaktuar qytetarët për t’i pyetur se çfarë kanë lexuar gjatë kohës së izolimit si dhe libraritë se cilët janë librat më të shitur.

Edina Shabani, maturante, e cila synon që të vazhdojë studimet për Mjekësi, tha për KALLXO.com se gjatë mbylljes në shtëpi gjatë kohës së pandemisë ka vazhduar të lexojë libra.

“Mua më pëlqen të lexoj shumë. Gjatë kësaj kohe kam vazhduar të lexoj libra të cilët gjenden në bibliotekën time personale, por dhe kam blerë me porosi në librarinë ‘Dukagjini’”, tha ajo.

Edina Shabani thotë se ka lexuar nga literatura ruse, bestsellerë amerikanë, por dhe libra të autorëve shqiptarë, në veçanti Kadarenë. “Kryesisht të zhanreve dramë, romancë dhe histori”.

Kurse Learta Ahma, juriste, tha për KALLXO.com se mbyllja gjatë pandemisë e ka shtyrë që t’i rikthehet leximit. Kjo pasi që gjatë mbylljes nuk ishte e angazhuar me shumë punë si zakonisht.

“Karantina ka ndikuar që të më rikthehet dëshira për leximin. Gjatë kësaj kohe libri ka qenë ndër miqtë e mi më të ngushtë. Përpos librave të shumtë që gjenden në bibliotekën familjare, kam bërë dhe porosi nga libraritë”, tha ajo

Kurse për zhanret e librave që ka lexuar tha se përpos romaneve që i pëlqejnë shumë, këtë kohë është fokusuar të lexojë libra që i lidhen me profesionin.

“Kam lexuar romane të zhanrit mister dhe triller, pasi që romanet gjithmonë më kanë pëlqyer por kam lexuar dhe libra që lidhen direkt me profesionin tim, juridikun”, shtoi ajo.

KALLXO.com ka vizituar tri nga libraritë në kryeqytet të cilat kanë bërë dërgesa të librave me postë.

Titujt më të shitur në librarinë “ARTINI” janë: “Murtaja”, Albert Camus, “Dashuria në kohërat e kolerës”, Gabriel Garcia Marquez, “Ikigai”, Albert Liebermann dhe Hector Garcia, “Sekreti”, “Fuqia”, “Magjia”, Rhonda Byrne dhe “Homo Sapiens”, Yuval Noah Harari.

Në librarinë “Dukagjini’: “Tatuisti i Aushvicit”, Heather Morris, “Mikesha Gjeniale”, Elena Ferrante, “E shoh çfarë po mendon”, Joe Navarro, “Gjyetari i balonave”, Khaled Hosseini, “Prilli i thyer” e “Kush e solli Doruntinën” nga Ismail Kadare, “Shitësi i këpucëve”, Phil Knight, “Dyzet rregullat e dashurisë”,  Elif Shafak, “Dashuria në kohërat e kolerës”, Gabriel Garcia Marquez, “Murtaja”, Albert Camus.

Kurse në librarinë Buzuku: “Ikigai”,  Albert Liebermann, “Inteligjenca emocionale”, Daniel Goleman, “451 Farenhajt”, Ray Bradbury, “Ishulli”, Aldous Huxley, “Ç’është populizmi”, Jan Werner Muller, “Histori përpara gjumit për vajza rebele”, Elena Favilli, Francesca Cavallo, “1984”, George Orwell, “Tuneli”, Ernesto Sabato, “48 ligjet e pushtetit”, Robert Greene dhe “Pse dështojnë kombet”, Daren Acemoglu dhe James Robinson.