Ismail Kadare në mesin e finalistëve për një çmim ndërkombëtar

Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare është renditur në mesin e nëntë finalistëve për çmimin prestigjioz për letërsinë ‘Neustadt International Prize’  për  vitin 2020.

‘The Neustadt International Prize for Literature’  është një çmim dy vjeçar i sponsorizuar nga Universiteti i Oklahoma, SHBA, konkretisht revista “Letërsia Botërore Sot”( World Literature Today ) që nga viti 1970.

Në faqen zyrtare të çmimeve Neustadt Prizes janë bërë publike edhe garuesit për edicionin e 2020 të këtij çmimi, i cili sipas mediave amerikane ka një kundërvlerë prej 50 mijë dollarësh amerikanë.

Nga kritikët e letërsisë dhe mediat amerikane ky çmime konsiderohet edhe si Nobeli amerikan dhe një prej çmimeve më prestigjioze botërore për letërsinë.

Përveç Kadaresë në garë për këtë çmim janë edhe: Emmanuel Carrère (Francë), Jorie Graham (SHBA), Jessica Hagedorn (Filipine – SHBA), Eduardo Halfón (Guatemalë), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laâbi (Marok) dhe Lee Maracle (Kanada).

Sipas një komunikate për media të bërë publike në korrik të këtij viti nga World Literature Today, Universiteti i Oklahomës, fituesi do të shpallet në 16 tetor 2019.

Dy fituesit e fundit të këtij çmimi janë  Edwidge Danticat në 2018 dhe Dubravka Ugrešić në 2016, por në të kaluarën ky çmim është marrë edhe nga emra të njohur të letrave botërore si: Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti, etj.

Deri më tani Kadare ka marrë shumë çmime ndërkombëtare në letërsi duke përfshirës edhe çmimin, “Prince of Asturias”, “Man Booker International”, etj.

Në prezantimin që i bëhet Ismail Kadaresë në faqen zyrtare të Neustadt Prizes, ndër tjera thuhet se ai është një nga zërat më domethënës në letërsinë botërore sot. Lindur në Shqipëri në 1936, ai filloi të botojë poezi dhe trillime në vitet 1960 kur Shqipëria ishte një shtet totalitar.

Romanet e tij të para janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Vajza e Agamemnonit”, ndërkaq vepra që e bënë emër të veçantë në fushën e letrave janë “Prilli i thyer”, “Dosja H” e të tjera dhe faktin se veprat e Kadaresë janë të përkthyera në mbi 40 gjuhë të botës.