Intensifikohen punimet për restaurimin e monumentit të kulturës në Prizren

Nën kujdesin e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren (QRTK), janë duke u kryer punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit.

QRTK e Prizrenit përmes një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se, përveç historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike.

Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.

“Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj”, thuhet në njoftimin e QRTK-së së Prizrenit.

Projekti për restaurimin e këtij monumenti është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.