Instituti i Historisë boton librin me dokumente për Kosovën

Në prag të ndërrimit të motmoteve Instituti i Historisë “Ali HAdri” në Prishtinë ka botuar librin “Kosova në arkivat e shtetit shqiptar 1950-1969 – Dokumente”, përgatitur nga Sabit Syla, Jakup Krasniqi dhe Nuri Bexheti.

Libri është përmbledhje e dokumenteve arkivore të pabotuara, të cilat shprehin jo vetëm gjendjen e vështirë ekonomike, dhunimin e të drejtave kombëtare dhe persekutimin dhe represionin jugosllav mbi shqiptarët në Kosovë, por edhe shqetësimet e autoriteteve të shtetit shqiptar karshi kësaj politike diskriminues edhe përpjekjet e tyre për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për të ndikuar në parandalimin e kësaj dhune.

Libri jep dëshmi mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave pas luftës së Dytë Botërore, të cilat pavarësisht se kishin disa marrëdhënie diplomatike dhe momente paqeje në përgjithësi ishin të tensionuara.

“Në këtë vëllim, fillimisht përfshihen disa dokumente për qëndrimin e udhëheqjes shqiptare të fillim viteve ‘50, e cila ishte pjesë e fushatës anti -jugosllave. Shumë dokumente pasqyrojnë gjendjen e vështirë të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Për krimet,  arrestimet e diskriminimin nacional të udhëheqjes politike jugosllave ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, u përgatiti një projekt notë verbale për sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”, thuhet në njoftimin IH “Ali Hadi” për botimin këtij libri.

Aty po ashtu jepen edhe dëshmi mbi veprimet e shërbimeve të zbulimit të shtetit shqiptar në ish-Jugosllavi, por edhe të atyre jugosllav në Shqipëri.

Përveç këtij libri gjatë 2019  IH “Ali Hadri” ka sjellë edhe 11 botime tjera me interes nga fusha e historiografisë, si librin: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, përmbledhje studimesh nga Konferenca organizuar në Prishtinë, më 16 tetor 2018; “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”, përmbledhje studimesh nga Konferenca shkencore organizuar në Prishtinë, më 6 mars 2018; monografinë  “Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918” të Fitim Rifati;  “Shala e Bajgorës në luftën çlirimtare 1998-1999” (Batalioni V “Rexhep Musa) të Sabit Sylës.

Po ashtu gjatë këtij viti IH ka botuar edhe monografitë: “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës” (Mars-qershor 1999) nga Teuta Shala-Peli; “Ballafaqime historike për çlirim e bashkim kombëtar” të Jakup Krasniqit; “Shqiptarët në dokumentet diplomatike të Britanisë së Madhe 1911-1912” nga Frashër Demaj, pastaj librin e Sabit Sylës “Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë” dhe atë të  Qerim Litës “Shpërngulja e shqiptarëve në Republikën e Turqisë 1922-1941”.

IH ka botuar edhe numrin e 44 të Revistës shkencore “Kosova” dhe ka zhvilluar edhe disa konferenca shkencore në bashkëpunim edhe me institucione tjera shekncore.

“Instituti ka organizuar disa konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare, përmes së cilave është synuar që të arrihen rezultate dhe njohuri të reja në fushën e historiografisë shqiptare dhe më gjerë, si: “Kosova-rruga drejt lirisë”; “Shqiptarët dhe ndërkombëtarë në vitet 1912-1926”; “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”’, thuhet në raportin e IH për 2019.

Ndërsa, punëtorët e këtij instituti gjatë 2019 kanë vazhduar hulumtimet shkencore në projektet “Historia e Kosovës”, dhe projektin “Gjenocidi serb në Kosovë 1998-1999”.