Instituti Albanologjik me konferencë shkencore për leksikografinë

Gjuhëtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Serbia po marrin pjesë në Konferencën shkencore një ditore “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”, që po mbahet në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Konferenca ka nisur sot, më 9 tetor 2019, ndërsa është organizuar nga Dega e Gjuhësisë e IAP-së.

Duke hapur punimet e konferencës, drejtori i IAP, Hyesn Matoshi ka thënë se konferenca pritet të sjellë rezultate në studimet gjuhësore në fushën e leksikut dhe të leksikografisë shqiptare.

“Studimi për leksikun dhe leksikografinë përbën një punë krijuese në projektet dhe në aktivitetet shkencore të Institutit Albanologjik”, ka thënë ai, duke dhënë edhe një histori rreth punës së IAP-së në studimin e leksikut dhe hartimin e fjalorëve leksikografik nga IAP.

Ndërsa shefi i Degës së Gjuhësisë së IAP-së, Naim Berisha ka potencuar se kjo konferencë paraqet një mundësi për prezantimin e projekteve dhe të arriturave që ka shënuar Dega e Gjuhësisë së këtij Instituti.

“Përveç tjerash gjatë kësaj konference do të shpalosen edhe të arriturat e studiuesve nga qendra tjera shkencore gjithandej trojeve shqiptare e më gjerë”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri më tani është bërë një punë mjaftë e rëndësishme për mbledhjen e leksikut dialektor dhe botime të një mori fjalorësh leksikografik- dialektik.

Konferenca pritet t’i mbyllë punime sot në mbrëmje.