Iniciohet formimi i Asociacionit të Lahutarëve Shqiptarë
Lahutarët shqiptarë pritet të bëhen me shoqatë të tyre me qëllim për të mbrojtur dhe ruajtur traditën e interpretimit me lahutë, po edhe vet instrumentin.
Vendimi për formimin e Asociacionit të Lahutarëve Shqiptarë pritet të merret gjatë ditës së sotme në kuadër të Festivalit “Lahuta, okarina dhe polifonia”.
Ideja për themelimin e këtij asociacioni është inicuar nga organizatori i këtij festivali, Qendra për zhvillimin dhe promovimin e kulturës tradicionale, “Shkaba” në Prishtinë.
“Vendimi për formimin e këtij asociacioni do të merret sot gjatë debatit që do të zhvillohet në kuadër të festivalit. Gjithë qëllimi i kësaj iniciative është bashkimi i lahutarëve shqiptarë si dhe mbrojtja e trashëgimisë së tyre”, ka thënë Sokol Plakolli, organizator i festivali dhe drejtor i Qendrës “Shkaba”.
Përveç debatit për formimin e Asociacionit të Lahutarëve gjatë ditës së dytë të festivalit të lahutës dhe okarinës, prezantohet interpretimi i këngëve kreshnike nga Lahutarët e Rugovës.
Nuk do të mungojnë edhe debatet për këngët kreshnike, historinë dhe trashëgiminë etnomuzikore shqiptare, si dhe sofra me ushqime tradicionale.
Festivali “Lahuta, okarina, polifonia” është hapur dje me prezantimin e lahutës, historinë e këtij instrumenti dhe interpretimet nga rapsodët rugovas, Jonuz Delaj, Isë Elezi dhe Hysen Kurtaj.