Historianët e Deçanit kundër Hotit, pro Ramosajt

Historianët e Deçanit janë shprehur kundër ndërprerjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Deçan- Plavë, e cila kalon nëpër Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”, Dega në Deçan, gjatë një konference për media të mbajtur sot, ka thënë se institucionet duhet të vazhdojnë me projektin për rrugën Deçan- Plavë.

Shkodran Imeraj

Imeraj ka thënë se është kundër deklaratës së Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit Hoti, që për këtë çështje të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetues të Kosovës i viti 2016. Pasi, sipas tij ai vendim është antikushtetues.

Ai ka kërkuar nga institucionet që kjo çështje të mos bëhet temë bisedimesh në Bruksel.

Historiani Imeraj ka thënë se historianët e Deçanit janë në krah të kryetarit të tyre Bashkim Ramosaj, për çështjen e rrugës dhe kërkojnë nga ai që të mos tërhiqet.

Reagimet e udhëheqësve të Manastirit të Deçanit për rrugën, për Imerajn janë të qëllimshme dhe me prapavijë. Pasi sipas tij, Manastiri i Deçanit nuk ka reaguar kur brenda Zonës së Mbrojtur janë ndërtuar tri hidrocentrale.

“Është e çuditshme që Manastiri i Deçanit nuk ka reaguar kur janë kryer tri hidrocentrale, apo kur janë kryer tri ndërtime në kudër të Zonës së Mbrojtur. Kur janë bërë ndërtime që i kanë shkuar në favor, Manastiri nuk ka reaguar”, ka thënë Imeraj gjatë konferencës.