Heronjtë e vërtetë të kohës sonë: jeta e punëtorëve në Kosovë

Prishtina Insight bashkëbisedoi me artisten Doruntina Kastrati dhe kuratoren Hana Halilaj për të diskutuar lidhur me ekspozitën e tyre të re “Heronjtë Publikë dhe Sekretet”, i cili po shfaqet në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Mendoj se është më mirë të vdesësh sesa të lëndohesh në punë. Kur vdes, së paku ke bërë diçka. Kur lëndohesh, duhet të jetosh me dy barra në jetën tuaj: të qenit me aftësi të kufizuara dhe të mos kesh mundësi të ofrosh siguri për familjen tuaj,” thotë një nga punëtorët e intervistuar nga Doruntina Kastrati lidhur me ekspozitën e saj të re” Heronjtë Publikë dhe Sekretet “.

Ekspozita është hapur ditën e Premtë në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe eksploron anët më të errëta të të qenurit pjesë e rrezikuar e fuqisë punëtore e angazhuar në punë fizike (krahu) në Kosovë.

“Për cilat të drejta duhet të flasim? Këtu, nuk ka asgjë, nuk ka ligje, ata përfitojnë vetëm për veten e tyre, ne nuk kemi asgjë këtu, kemi vetëm hajna,” thotë një punëtor tjetër në ekspozitën prekëse të Kastratit, i cili u lëndua në vendin e punës dhe, si rezultat, ra në gjendje kome për tre muaj.

FOTO- Rina Krasniqi

Edhe emri i ekspozitës edhe ai i pamjeve filmike që tregon rrëfimet e këtyre punëtorëve, “Kur u largua, vdekja as nuk na mbylli sytë”, erdhën si frymëzim nga vargjet e poemës të shkruara nga Roberto Bolano – ‘Godzilla në Meksikë.’

Puna e Doruntina Kastratit është produkt i një hulumtimi gjithëpërfshirës 12 mujor në dimensionin njerëzor të aksidenteve në vendin e punës në Kosovë. Ajo dhe kuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj, e ka kaluar vitin duke mbledhur të dhëna për aksidentet në vendin e punës dhe ka bërë intervista të shumta me punëtorët të cilët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këto aksidente.

Po ashtu, ato kanë bashkëbiseduar edhe me punëtorë të tjerë fizikë të cilët kanë punuar me orë të gjata në mjedise pune me mungesë të standardeve të sigurisë. Sipas Kastratit, nevojat e tyre janë shpërfillur dhe ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh si nga punëdhënësit e tyre, gjithashtu edhe nga vetë shteti.

FOTO-Rina Krasniqi

Doruntina Kastrati ka udhëtuar përreth Prishtinës, Ferizajt dhe Shtimes, duke bashkëbiseduar me ata që mblidhen në pikëtakimet e tyre skaj rrugëve, aty ku njerëzit shkojnë dhe kërkojnë punëtorë për ta kryer ndonjë punë të vogël dhe u japin punë atyre.

“Ata qëndrojnë atje gjatë gjithë ditës duke pritur që dikush të vijë dhe t’u ofrojë atyre ndonjë punë për ta bërë,” tha Kastrati. “Përvojat e tyre janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, shumë prej tyre çuditen se kanë shpëtuar të gjallë në fund të një dite pune.”

Përvojat e këtyre punëtorëve janë me të vërtetë aq të ngjashme me njëra-tjetrën saqë lirisht mund t’i shkrish në një rrëfim të vetëm, përvojën e mungesës së fuqisë së klasës punëtore në Kosovë.

Ekspozita gjithashtu përfshin tri skulptura të printuara në formatin 3D nga Kastrati që janë të ngjashme me gjymtyrët dhe pjesët e trupit që janë krijuar me materiale të tilla si rrëshira, silikoni, furçë spreji dhe furçë flokësh dhie.

“Ndjehesha e shqetësuar teksa dëgjoja rrëfimet e këtyre njerëzve. Ata ndonjëherë presin gjatë gjithë ditës në këto pikëtakime që dikush të vijë dhe ti marrë për ta kryer ndonjë punë, por askush nuk vie,” thotë Kastrati. “Familjet e tyre varen shumë prej tyre dhe ata nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të presin për ndonjë punë e për të cilën ata e dinë që e vë në rrezik të madh shëndetin dhe mirëqenien e familjarëve të tyre.”

Statistikat që japin detaje për vdekjet në vendin e punës në Kosovë janë tronditëse. Nga viti 2018 deri në korrik të këtij viti, më shumë se 50 persona kanë gjetur vdekjen në vendin e punës.

“Këta punëtorë fitojnë pagë minimale – për një ditë të plotë ata paguhen 10 ose 15 euro. Ata nuk kanë asnjë përfitim tjetër, punojnë pa kontrata, dhe jetojnë me frikën e vazhdueshme se shefat e tyre mund ti largojnë nga puna në çdo kohë,” thotë Hana Halilaj. “Është shumë shqetësues fakti që të drejtat e këtyre punëtorëve shkelen deri në atë masë mirëpo, prapë, askush nuk mban përgjegjësi për këtë.

Halilaj beson se ekspozita e Kastratit shërben si pasqyrim i një sistemi që vuan nga mungesa e rregullave, gjë që krijon hapësirë për shfrytëzimin e  atyre që kërkojnë punë.

“Përmes kësaj ekspozite, ne gjithashtu kishim si synim ti përmendnim tërthorazi politikat neoliberale dhe rolin e shtetit që e ka vënë një bazament të tillë duke e bërë të mundshme këtë shkelje të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve, duke mos iu ofruar atyre asnjë mbështetje,” thotë ajo.

Vendimi i tyre për ta shfaqur ekspozitën në Muzeun Kombëtar të Kosovës nuk është i rastësishëm: Koleksioni i përhershëm i Muzeut bëhet si një i vetëm dhe vendoset në kontrast me kontekstin e ekspozitës së Kastratit.

“Ne shohim artifakte që i përkasin dëshmorëve të luftës dhe personalitete të tjera të ekspozuara në Muzeun Kombëtar të Kosovës, të cilët njihen për kontributet e tyre në shoqërinë tonë,” thotë Halilaj. “Ekspozita mëton ta vë në dyshim kuptimin e heronjve sot. Kush janë heronjtë e vërtetë të shoqërisë sonë moderne? Ne ndoshta duhet t’i japim termit hero një kuptim të ri. “

Hulumtimi dhe ekspozita gjithashtu do të shndërrohen në një libër, i cili do të botohet në tetor të vitit 2020.

“Heronjtë Publikë dhe Sekretet” është ekspozita e dytë e Kastratit. Ekspozita e saj e parë e titulluar ‘Peizazhi i Kuq’, është shfaqur në ‘Stacion’- Qendra për artin bashkëkohor në Prishtinë në vitin 2017. Puna e saj është shfaqur edhe në ekspozita të shumta në grup, së fundmi në Tirana Patience nën organizimin e Adam Szymczyk dhe Natasa Ilic në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 24 korrik 2020 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, i cili do të pranojë vetëm një numër të kufizuar vizitorësh për shkak të kufizimeve të vendosura si rezultat i pandemisë COVID-19.

 

Ky shkrim është shkruar fillimisht në gjuhën angleze.