Vepra “Dita e Shën Valentinit” e Kolektivit “Haveit”.

‘Haveit’ e quan reagim prej homofobiku deklaratën e deputetit të LVV-së, Gazmend Agushollit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli ka reaguar në Facebook ndaj blerjes së veprës “Dita e Shën Valentinit” të kolektivit “Haveit” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Fotografia “Dita e Shën Valentinit” është prezantuar në Galerinë Kombëtare në kuadër të prezantimit të veprave të blera të artistëve tanë pamor këtë viti nga MKRS.

Për fotografinë “Dita e Shën Valentinit”, MKRS ka paguar 10 mijë euro.

Në fotografi janë 4 vajza, të cilat shkëmbejnë puthje me njëra tjetrën.

Me një fjalor goxha të ashpër ndaj përmbajtjes së veprës, deputeti Agusholli e quan si absurde dhe ofenduese veprën e blerë nga ministria.

“Për këtë foto janë ndarë 10 mijë euro prej buxhetit të Kosovës. Me taksat tona financohet ky projekt “arti”. Absurde është tendenca që dhunshëm me “normalizu ”seksualitetin e dikujt. Dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë.  Askujt mbi këtë tokë nuk po i intereson çka bëni ju nëpër shtëpitë tuaja. Pse po besoni që keni kaq shumë relevancë?! Shumë zor po i japin disa, e prapë as nuk po i dojnë as nuk po i pranojnë.  Krejt aparatin propagandistik, fondet dhjetëra milionëshe, edhe rezultati ne fund zero.  Për disa përshkrimi i punës: Ndjekim fonde! Sqarim për fund: Te unë nuk pinë ujë: cancel kultura, presioni, shantazhi e aq më pak ofendimet” – ka shkruar Agusholli në Facebook.

Postimi i Agushollit është shpërndarë edhe nga deputetë tjerë të LVV-së; Eman Rrahmani e Visar Korenica. Deputeti Agusholli nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e KALLXO.com lidhur me arsyet që e shtynë të reagojë ndaj një vepre arti.

Ndaj postimit të Agushsollit ka reaguar kolektivi ‘Haveit”-i, por edhe artistë pamorë.

Në një përgjigje për KALLXO.com Kolektivi “Haveit” realizuesi i veprës “Dita e Valentinit”, thotë se është përkeqardhje që në Kuvendin e Kosovës ka deputet homofobik.

“Na vjen keq që ka në parlament njerëz homofob, të cilët gjejnë hapësirë për të vjellë vrerin e tyre kudo që munden. Deputetët e Kosovës ish dashtë me reagu për rastin e foshnjës në lavatriçe, për gjyshet e rrahura e për gratë e vrara, e jo të reagojnë për puthje e dashuri” – thuhet në përgjigjen e “Haveit”-it.

Pos sipas Kolektivit “Haveit”, kjo foto tregon se sa ndikim dhe fuqi ka arti i tyre, gjë që ka bërë që të jetë edhe në  arkivin e shtetit.

“Mesazhi i fotos është që dashuria gjithmonë triumfon me ç’rast atë vit patëm marrë shumë kërcënime me vdekje. Ndikimi i veprës tonë është aq i madh sa edhe sot ‘trondit’ shoqërinë gjë që bën te kuptohet që kemi ecë shumë pak përpara” – ka thënë “Haveit” për KALLXO.com.

Ndërkaq, krijuesi Dardan Zegrova thotë se kjo fotografi nga “Haveit” po vazhdon me nxjerr në pah homofobinë e deputetëve.

“Homofobia e deputetëve Gramos Agusholli, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica e shprehur lirshëm dhe me krenari për këtë fotografi, është vetëm edhe një manifestim i hapur i homofobisë pas atij të fundit ku deputetet nuk lejuan miratimin e Projekt kodit-civil në kuvend” – -ka shkruar Zhegrova në Facebook.

Fotografia  “Dita e Shën Valentinit” është bërë në vitin 2014 për ditën e Shën Valentinit. Vajzat në foto janë katër artiste nga Prishtina, çiftet motra; Vesa dhe Hana Qena dhe Alkete dhe Lola Sylaj, të cilat e kanë formuar koleketivin “Haveit” në vitin 2011 si reagim artistik ndaj ngjarjeve në Kosovë.