Koncerti i Dua Lipës në Prishtinë. Foto: Dua Lipa/Instagram

Haradinaj: Përmes festivaleve Kosova po dëshmon vlera të mëdha

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka përgëzuar  organizatorët e festivaleve si “Sunny Hill”, dhe “Doku Fest”, të cilët do të mbahen në Kosovë.

Haradinaj ja thënë se përmes këtyre festivaleve, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale.

“Përmes festivaleve ndërkombëtare, si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale. Mbresëlënës fakti se angazhimi i pandalshëm i krijuesve të këtyre festivaleve, po mbledh rreth vetës turistë të shumtë, adhurues dhe njerëz të njohur të botës së filmit e të muzikës dhe e rëndit Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha globale”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka falënderuar këngëtaren Dua Lipa dhe organizatorët e Doku Fest për organizimin e këtyre festivaleve.

“Përgëzoj këngëtaren tonë me famë botërore Dua Lipa dhe organizatorët e DokuFest, që po iu ofrojnë qytetarëve të këtij vendi një atmosferë të gjallë e përplot entuziazëm. Faleminderit të gjithë atyre që na bëjnë krenarë me veprat e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Festivali  “Sunny Hill Festival” pritet të fillojë sonte, për të vazhduar për 3 ditë radhazi.