
Hapet thirrja për laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe
Disa prej institucioneve teatrore në vend do të organizojnë laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe, “RKS_drama lab 2020/2021”.
Përmes një njoftimin në Facebook, teatrot organizuese të laboratorit, bëjnë të ditur se pjesëmarrësit në këtë laborator, do të kenë mundësi të përfshihen në procese kreative të shkrimit të dramës, të shkruajnë drama të reja ose të përfundojnë projektete e shkrimit të nisura më herët.
Po sipas njoftimit, në fund të procesit, pritet që pjesëmarrësit të kenë një dramë të përfunduar e cila pastaj do të prezantohet para publikut në formën e leximit skenik.
Dramat pjesëmarrëse në këtë laborator do të botohen në një vëllime, ndërsa tri më të mirat do të përkthen në gjuhën angleze, dhe do promovohen përmes rrjetit të dramaturgjisë ndërkombëtare “Eurodrama”.
“Këto drama do të konsiderohen si potencial për inskenim në njërin prej teatrove partnere në ‘RKS_drama lab 2020/2021’ dhe po ashtu do të promovohen në aktivitete e festivale të ndryshme teatrore që mbahen në Kosovë, duke përfshirë këtu: ‘Festivalin e dramës origjinale shqipe në Gjilan’ dhe në ‘Kosovo Theater Showcase 2021’”, thuhet në njoftim.
Laboratori i dramës bashkëkohorë shqipe, “RKS_drama lab 2020/2021” do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza, nga 22 deri më 3 dhjetor dhe nga 18 deri më 22 dhjetor 2020 dhe do të drejtohen nga dramaturgu Fadil Hysaj.
Të drejtë konkurimi për pjesëmarrje në këtë laborator kanë gjithë shtetasit e Kosovës nga mosha 18 deri 45 vjeç.
Laboratori “RKS_drama lab 2020/2021” organizohet nga: Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Ardiana” Ferizaj, Qendra Multimedia dhe Etno Teatri në Kukaj.