Hapet panairi vjeshtor i librit 'AAB 2019'

Mijëra botime të botuesve shqiptarë dhe të huaj janë ekspozuar gjatë ditës së sotme në kuadër të edicionit të dytë të panairit vjeshtor të librit ‘AAB 2019’.

Edicioni i sivjetmë i këtij panairi është hapur në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë, ndërsa marrin pjesë mbi 40 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe për herë të parë edhe botues ndërkombëtarë, si: Pearson, Hueber e CLE International.

Panairi do të jetë i hapur çdo ditë deri më 12 tetor 2019, nga ora 08.00-18.00, ndërsa përveç ekspozimit dhe shitjes së librave me çmime speciale për studentë, në kuadër të programit të këtij edicioni do të bëhet edhe promovimi i dhjetëra titujve të rinj.

Hasan Salihu, prorektor për kërkime shkencore në Kolegjin AAB, ka pohuar në ceremoninë e hapjes se ky panair ka për qëllim që në mjediset e këtij kolegji të bëjë bashkë botuesin me lexuesin.

“E veçantë tjetër e këtij panairi është se bëjmë bashkë librin shkencore dhe librin letrar”, ka thënë Salihu.

Ai ka thënë se Kolegji AAB, ashtu siç është kolegji i vetëm që organizon një panair libri, do të jetë edhe i pari që organizon një panair të librit digjital.

Kurse, Arbër Rrahmani, sekretar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka potencuar me këtë rast se një organizim i tillë është për të mirën e shëndetit të librit.

“Çdo organizmi aty ku është botuesi, libri, studentë, është për të mirën tonë, libri ka nevojë të jetë sa më afër lexuesit për të krijuar një komunikim të shëndoshë”, ka thënë Rrahmani.