Foto: Facebook

Hapet Panairi i Librit në Tiranë, 'Tirana 2019'

Panairi i 22-të i Librit “Tirana 2019” është hapur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Mbi 100 botues nga  Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi gjatë 5 ditëve të këtij panairi do t’i ekspozojnë botimet e tyre, me theks të veçantë ato të botuar në mes dy panaireve.

Përveç ekspozimit të librit gjatë ditëve të këtij panairi nuk do të mungojnë edhe aktivitetet përcjellëse, si 80 promovime të ndryshme librash, diskutime e shumë aktivitete që kanë të bëjnë me botimin, përkthimin, si dhe njohjen e kulturës ballkanike e europiane në Shqipëri.

Pjesë tradicionale e këtij panairi janë edhe numri i madh i botuesve të Kosovës, të cilët do të kenë mundësi për promovim të botimeve të tyre.

Disa nga botuesit kosovarë do të prezantohen në stendën e përbashkët, të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e disa veç e veç.

“Disa përfaqësohen të përbashkët te stenda Kosova e disa janë veç e veç, po edhe këta me ndihmë të Ministrisë së Kulturës së Kosovës”, ka thënë për KALLXO.com,  Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 21:00, Ndërsa 16 nëntor 2019, në sallën ovale, ora 12:00 do të bëhet edhe ndarja e çmimeve të panairit.

Panairi i Tiranës mbyllet të dielën e ardhshme më 17 nëntor 2019.