Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com

Hapet ekspozita me veprat e koleksionit të 'Grand Hotel'-it në Prishtinë

Rreth 50 vepra të artit pamor nga 27 artistë, nga koleksioni i hotelit “Grand Hotel” në Prishtinë janë ekspozuar sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Grandart 1970-2000”.

Veprat e ekspozuara në kuadër të kësaj ekspozite prezantojnë zhvillimin e artit pamor kosovar që nga gjenerata e parë e artistëve e deri më sot.

Pjesë e kësaj ekspozite është edhe dokumentari i realizuar nga Jeta Xharra dhe stafi i KALLXO.com përmes së cilit rrëfehet rrugëtimi i koleksionit të veprave të “Grand Hotel”-it nga 2017 deri në sistemimin e tyre në GKK-së.

Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të GKK-së, gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës tha se është e gjatë lista e atyre që kontribuuan që koleksioni i këtyre veprave të përfundojë në GKK.

“Ka qenë një rrugëtim mjaft i gjatë derisa këto vepra janë bërë pjesë e koleksionit të GKK-së, andaj falënderoj gjithë ata që kontribuan në këtë rrugëtim”, ka thënë Spahiu.

Ndërkaq Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it, tha me këtë rast se rrëfimi i KALLXO.com për veprat e Grandit nis në 2017.

“Më 2017 vjen një kallxuese dhe thotë se duhet me ardhë në ‘Grand Hotel’, m’e evidentu një koleksion që ekziston aty pasi nuk dihet në të ardhmen fati i tij në rast se ky hotel privatizohet”, ka thënë ajo.

Xharra ka treguar se ka pasur mirëkuptimin e institucioneve dhe stafit të “Grand Hotel”-it për të hulumtuar koleksionin. Ajo ka rrëfyer edhe mënyrën dhe vendin ku dhe si ruhej koleksioni.

Më e dhimbshmja sipas saj është se koleksioni i “Grand”-it përbëhet nga 306 punime,  ndërsa kanë mbetur 125.

“239 vepra mungojnë, sepse më 2006 ai që e ka privatizu “Grand”-in, ka nisë me investu në një anë dhe është pajtuar me një transportues që ai me e marrë gjithë inventarin që ekziston e  edhe pikturat veç mos me i lypë para. 239 vepra kanë mundur të përfundojnë gjithkund dhe mirë me ba apel që ata që i kanë me i kthy”, ka thënë ajo.

Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës ka thënë se në kuadër të ekspozitës janë ekspozuar rreth 50 veprat art nga 27 autorë kosovarë.

“Veprat janë të mediumeve të ndryshme, duke u nisur nga pikturat, skulptura tapiceritë, artizanatet, ku dominon grafika. Në këtë ekspozitë prezantohet gjenerata e parë e artistëve pamor deri më sot, me fokus vitet e 1970, nga ku edhe nis historia e parë e gjeneratës”. Ai ka thënë se numri 50 lidhet me fillimet e krijimtarisë së gjeneratës së parë.

Isa Rexha, drejtor i “Grand Hotel”-it tha se falë stafit të këtij hoteli ka mbijetuar koleksioni i veprave të artit.

“Vepra që mungojë – mungojnë,  besoj se asnjë nga ato vepra nuk gjenden për arsye se korniza e veprave ka qenë rosfaj i klasit të parë dhe është shitur me kilogram, pasi askush nuk ia kanë ditë vlerën as rosfajt apo veprave”, ka thënë ai.

Kurse Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës  në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se që nga 2015 MKRS ka nisur procesin për bartjen e këtyre veprave në GKK.

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, i sfidueshëm për shkak të pengesave ligjore që kanë dalë gjatë kësaj rruge”, ka thënë ajo.

 

Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com
Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com
Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com
Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com
Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com
Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com