Hapen edhe tri minibiblioteka në lagjet e Prishtinës

Edhe tri minibiblioteka pritet t’i shtohen kryeqytetit pas atyre në lagjen “Ulpiana” dhe “Dardania”.

OJQ ‘ETEA’, e cila ka bërë të mundur hapjen e këtyre minibibliotekave, ka bërë të ditur se nesër, më 21 nëntor 2019, do të hapen edhe tri biblioteka në lagjet e Prishtinës.

“Kryeqyteti i Kosovës hap pas hapi po shndërrohet në qytet të librit. Tashmë, ngjashëm sikurse lagjet ‘Dardania’ dhe ‘Ulpiana’, edhe lagjet ‘Velania’, ‘Bregu i Diellit’ dhe ‘Lagjja e Spitalit’ po bëhen me kënde të librit. Ky projekt do të vazhdojë tutje dhe deri në fund të vitit pothuajse secila lagje e komunës së Prishtinës do të bëhet me minibibliotekë”, thuhet në njoftimin e ETEA-s.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë “Dukagjini”, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.