Hajrullahu: Restaurimi në Kalanë e Novobërdës, në pranverën e vitit 2020

Restaurimi i mureve të Kalasë së Novobërdës do të fillojë vetëm në pranverën e 2020, ndërsa kompania serbe “Koto” është e obliguar, sipas kontratës me UNESCO, të rinisë sanimet e dëmeve që vet i kishte bërë gjatë restaurimit të mureve të Kalasë.

Rifillimi i sanimeve të dëmeve në Kalanë mesjetare të Artanës pritet të bëhet nën mbikëqyrje të ‘ashpër’ të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM, tha në një intervistë për KALLXO.com, se Instituti që ai drejton, pasi ka marrë projektin kryesor të sanimit të dëmeve në Kalanë e Novobërdës, nga ana e UNESCO-s, dega në Sarajevë, ka rekomanduar që punët në kala duhet të fillojnë në 2020.

Sipas tij, ky rekomandim është dhënë pasi materialet që do përdoren për renovim kërkojnë kushte klimatike të përshtatshme.

Përveç, vendimit për Kalanë në Artanë, drejtori Hajrullahu ka folur dhe për problemet me të cilat ballafaqohet sot trashëgimia monumentale në Kosovë dhe masat për mbrojtjen e saj.

Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Kallxo.com: Cila janë hapat që pritet të merren rreth fillimit të ri renovimit të mureve të Kalasë së Artanës (Novobërdës)?

Ismet Hajrullahu: Meqë jemi në prag të sezonit të dimrit, punimet do të ndërpriten deri në pranverën e vitit 2020, pasi materialet që do përdoren kërkojnë kushte klimatike të përshtatshme.

Kallxo.com: A ka sjellë zyra e UNESCO-s në Sarajevë, projektin për ri-renovimin e mureve të Kalasë dhe si do të veprojë IKMM rreth planeve të UNESCO-s për të vazhduar restaurimin me firmën serbe “Koto”?

Ismet Hajrullahu: Zyra e UNESCO-së në Sarajevë ka sjellë projektin kryesor të sanimit të dëmeve në Kalanë e Artanës. Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave dhe projekteve konservuese/restauruese të trashëgimisë arkitekturore ka shqyrtuar projektin dhe rekomandimi i këtij Komisioni, i cili rekomandim është në harmoni edhe me rekomandimin e hartuesit të projektit, është nevojë imediate që të bëhet hidroizolimi i mureve të kalasë si dhe drenazhimi i kullave të kalasë, ndërsa punët tjera të shtyhen për pranverën e vitit 2020.

Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM

Kallxo.com: Kur mund të pritet rifillimi i punimeve në këtë kala?

Ismet Hajrullahu: Rifillimi i punimeve pritet në pranverën e vitit 2020.

Kallxo.com: A do të këmbëngulni për një mbikëqyrje më të ‘ashpër’ të punimeve pasi UNESCO po insiston për të mos i ndërprerë kontratën firmës serbe?

Ismet Hajrullahu: IKMM do të mbikëqyrë rregullisht punimet që do të zhvillohen në Kala.

Kallxo.com: MKRS- Inspektorati i Trashëgimisë ka bërë të ditur se ka paditur firmën serbe dhe përfaqësuesin e saj. A jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur me këtë padi?

Ismet Hajrullahu: Padia është ngritur nga Inspektorati i Trashëgimisë kulturore, me tutje nuk jemi në dijeni se çfarë ka ndodhur me padinë.

Kallxo.com: Çfarë masash po merr IKMM për të ndaluar degradimin-shkatërrimin e mëtejmë të  Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore?

Ismet Hajrullahu: Asetet e trashëgimisë kulturore arkitekturore në rrezik janë duke u trajtuar në kuadër të programit për intervenime emergjente.

Kallxo.com: Çfarë po ndodhë me Hamamin e Prishtinës, ka kohë që nuk flitet për të?

Ismet Hajrullahu: Po presim organizatën turke TIKA, e cila është zotuar se do të ndërhyjë për restaurimin e Hamamit dhe xhamisë.

Kallxo.com: Është raportuar se IKMM ka dhënë disa pëlqime jo ligjore, për ndërtim të objekteve afaristë brenda rrezës (50 m) së mbrojtur të monumenteve, pompa te Xhamia e Llapit, ndërtesë banimi te Ura e Taliqit, Gjakovë, rasti i Shtëpisë së Sulejman Vokshit, apo Agim Çavdarbashës, etj.), si do të vepron IKMM me këto raste?

Ismet Hajrullahu: IKMM nuk ka dhënë pëlqime joligjore, për ndërtim të objekteve brenda zonave të mbrojtura (rrezes prej 50 m). IKMM në kuadër të mandatit që ka sipas legjislacionit në fuqi këtë vit ka filluar me projektin e definimit të zonave të mbrojtura të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore. Për më tepër edhe brenda zonave të mbrojtura nuk është i ndaluar ndërtimi, por duhet të ketë ndërtim të kontrolluar sipas regjimit mbrojtës të përcaktuar për zonën e mbrojtur.

Kallxo.com: A është obligative marrja e lejeve nga IKMM nga subjektet, qoftë dikastere qeveritare, komunale apo private, para se të nisin renovimin e një monumenti të mbrojtur?

Ismet Hajrullahu: Konform legjislacionit në fuqi për çdo ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore arkitekturore kërkohet leje paraprake nga Institucioni kompetent në këtë rast për asetet e trashëgimisë kulturore arkitekturore nga IKMM.

Pjesë e murit të dëmtuar në Kalanë e Artanës