Hajrulla Çekun e akuzojnë në Komision për favorizim të projekteve të OJQ-ve nga Prizreni

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është akuzuar nga deputetët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport se po i favorizon projektet e OJQ-ve që vijnë nga Komuna e Prizrenit.

Këto akuza në adresë të Çekut u bënë sot, gjatë raportimit të tij në Komision në Kuvendin e Kosovës.

Vlora Dumoshi, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ngritur shqetësimin dhe ankesa, siç ka thënë ajo, të komuniteti kulturor dhe sportiv sa përket mbështetjes që MKRS ka dhënë për OJQ nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Ka ankesa për parregullsi lidhur me mbështetjes nga Pakoja Emergjente, të pjesa e subvencioneve, se njerëzit po flasin se projektet po shkojnë në Prizren”, ka thënë Dumoshi.

Ajo ka kërkuar edhe sqarime nga ministri për suspendimet e zyrtarëve nga MKRS.

Por, akuzat janë hedhur poshtë nga Çeku, i cili theksoi se mbështetja e projekteve të OJQ-ve është bërë në bazë të meritës.

“Nuk është e vërtetë se projektet po shkojnë në Prizren. Kjo akuzë po lidhet direkt me prejardhjen time. Mbështetja behet në bazë të meritave dhe statistikisht kjo shumë lehtë mund të vërtetohet”, ka ai.

Gjatë këtij raportimi, Çeku i është përgjigjur shumë pyetjeve të deputetëve për çështje të ndryshme.

Deputetja Eliza Hoxha nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar sqarime për moszgjedhjen e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe çështjen e blerjes së veprave dhe hartimit të statuteve të institucioneve kulturore pa mbështetjen në ligjin bazë.

“MKRS po bënë një ligji unik për kulturë, ndërkohë keni ndryshu statutet e Galerisë Kombëtare dhe Operës. Pse duhet me i ndryshu statutet e institucioneve ndërkohë që po harrohet ligji gjithëpërfshirës”, tha Hoxha.

Ndërsa deputeti Enis Kervan nga Kosova Demokratik Turk Partesi, ka kërkuar nga MKRS angazhim të madhe të zyrtarëve që merren me çështjen e diversitetit dhe promovimit kulturor dhe minoriteteve.

“Në divizionin e promovimit kulturor ka vetëm një person që punon për të gjitha komunitetet jo shumicë, vetëm një person nuk mund të arrijë të kryej shërbime ndaj komuniteteve. A kemi menduar ta përmirësoni këtë gjendje, konkretisht shtim të stafit”, ka thënë Kervan.

Çeku, ndër te tjera në këtë raportim, ka informuar deputetët edhe për investimet e bëra gjatë këtij viti në sektorët që mbulohen nga MKRS, si dhe planet për viti 2022, sidomos në infrastrukturën ligjore, duke përmendur po ashtu edhe investimet që pritet të bëhen në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Për herë të parë është realizuar studimi profesional i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave, brenda kompleksit janë hartuar projekteve të ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet brenda këtij kompleksi”, ka thënë ai.

Çeku ka informuar deputetet- anëtar të Komisionit të ASHTIKRS edhe për punën e MKRS për mbrojtjen e trashëgimisë në rrezik, kthimin e artefakteve të Muzeut Kombëtar nga Serbia.