Gruaja e sekretarit të Institutit Albanologjik nga viti 2000 shfrytëzon me qira lokal nga ky institucion

Tri hapësira të objektit të tij, Instituti Albanologjik i Prishtinës ua ka lëshuar me qira tri bizneseve nga të cilat arkëton një shumë prej rreth 52 mijë euro në vit.

Dy prej qiraxhinjve të Instituti Albanologjik (IA) kanë ose kishin lidhje me punëtorë të tij.

Njëra prej pronareve të bizneseve me qira është gruaja e sekretarit të Institutit Albanalogjik, ndërsa lokali tjetër mbahet nga ish-punëtori i Institutit.

Këto të dhëna janë pjesë e Raportit të vlerësimit të shoqërisë civile për Institutin Albanologjik, të titulluar “Instituti i vetizoluar” hartuar nga Integra.

Bile çështja e shfrytëzimit të hapësirës së IA me qira nga gruaja e sekretarit të këtij institucioni, ishte pika më e ‘nxehtë’ gjatë diskutimit pas prezantimit të Raportit nga Integra.

Raporti i Integra-s jep disa të dhëna sa i përket shfrytëzimit të hapësirave të IA-së me qira.

“Njëri nga bizneset është në pronësi të bashkëshortes së sekretarit të IA, e tjetri është në pronësi të ish-punonjësi shkencor të IA. Për më shumë, Raporti i Zyrës së Kombëtare të Auditimin të për MASHAT për 2012, kishte konstatuar se kontratat me kompanitë qiramarrëse nuk kanë qenë transparente pasi që nuk janë shfrytëzuar procedurat tenderuares me rastin e dhënies në shfrytëzim”, thuhet në raportin e Integras për IA.

Duke folur për këtë çështje Kushtrim Koliqi, nga Integra ka thënë se sa i përket qirasë ka informata edhe më të dhimbshme.

“Kur flasim për qiranë janë do informata edhe pak më të dhimbshme se gruaja e njërit prej punëtorëve të institutit e ka marrë hapësirën e IA dhe e ka shndërruar në çerdhe”, ka thënë Koliqi.

Megjithatë sipas Shkëlzen Gashit, autor i raportit, gruaja e sekretarit, e cila që drejton biznesin që shfrytëzon hapësirën e IA-së që  nga 2006 në bazë të një konkursi publik, paguan qiranë.

Por, Sylë Kasumaj, sekretar i IA-së i ka hedhur poshtë pohimet se gruaja e tij e ka shndërruar hapësirën e IA-së në çerdhe për fëmijë. Sipas tij, aty funksionon shkolla e gjuhëve të huaja, e menaxhuar nga gruaja e tij.

“Hapësira që shfrytëzohet me qira nga biznesi i gruas sime, shfrytëzohet për shkollën e gjuhëve të huaja (kurse për gjuhë të huaja). English Language Center,(ELC), është institucion i akredituar në Agjencinë e Akreditimit. Këtë lokal gruaja e ka në shfrytëzim që nga pas lufta, në bazë të një shpallje publike të bërë në vitin 2000,  dhe të gjitha kontratat janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe atij të MASHT-it”, ka thënë Kasumaj.

Ai ka pohuar se në kohën kur biznesi i gruas së tij ishte vendosur në hapësirën e jashtme të IA-së, instituti menaxhohej nga Departamenti i Arsimit të UNMIK.

Ai ka përjashtuar mundësinë e konfliktit të interesit, pasi sipas tij, ai nuk është pjesë e asnjë organi menaxhues të IA-së.

Hapësira që shfrytëzohet nga Shkolla e gjuhëve të huaja, ELC gjendet në pjesën e jashtme objektit të të IA-së, dhe që para se të merrej me qira ishte një hapësirëe hapur (kishte vetëm shtyllta mbajtëse të objektit).