Grevë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, anulohet festivali ‘Moisiu’ - VIDEO

Nga e hëna më 18.11.2024, Teatri Kombëtar i Kosovës ka hyrë në një grevë të përgjithshme.

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës thotë se ka nisur grevën pas mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Kërkesat e grevistëve janë që të bëhet rishikimi dhe rritja e koeficienteve të pagave sipas meritave për punëtorët e teatrit.

Për shkak të grevës, Teatri Kombëtar ka anuluar mbajtja e festivalit “Moisiu”, i cili ishte planifikuar të hapej me premierën e shfaqjes “Emira” më 20.11.2024.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka qenë bashkëorganizator i këtij festivali me Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe Teatrin Shqiptar në Shkup.

Grevistët po kërkojnë reagim të shpejtë nga Ministria e Kulturës për gjetjen e një zgjidhjeje.

Shkëlzen Veseli, aktor në Trupën Rezidente të Aktorëve në TKK dhe anëtar i Këshillit Grevist, ka thënë se kërkesat e grevistëve janë për rregullimin dhe përmirësimin e koeficienteve të artistëve të TKK-së.

“Kërkesat janë rregullimi  dhe përmirësimi i koeficienteve të pagave të artistëve të TKK. Në shtojcën 12, në Ligjin e pagave është bërë një gabim shumë i madhe- amatoreske, për shkak se nuk munden të gjithë përformuesti e institucioneve të kulturës mu e fut në një tabelë ku janë vetëm 8 kategori. Kështu që gabimi i parë është bërë aty dhe gjatë rrugës janë krijuar probleme”- ka thënë Veseli për KALLXO.com.

Përmes një njoftimi, TKK ka bërë të ditur se për shkak të grevës festivali “Moisiu” nuk do të mbahet siç ishte planifikuar.

“Duke parë edhe pamundësinë e organizimit të denjë dhe festiv të edicionit të tretë të këtij festivali në Prishtinë nga 20-27 nëntor 2024, pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së, marrin vendim që: Edicioni i 3-të i Festivalit MOISIU në Prishtinë nuk do të mbahet siç ishte paralajmëruar”- thuhet në njoftimin e TKK-së.

TKK nuk ka dhënë sqarime rreth mbajtjes së festivalit, në të ardhmen.

Kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me grevën e punëtorëve të TKK-së.

Por pasdite më 18.11.2024, MKRS duke e shpërndarë postimin e TKK-së për anulimin e festivalit, ka bërë të ditur se nuk është përfillur kërkesa e saj nga SHSATKK që të kursehet festivali “Moisiu”.

“Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e organizimit sindikal. Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin ‘Moisiu’, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga sindikata”- thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Më 16.09.2024, SHSATKK nisi një aksion sindikal paralajmërues me kërkesë për rishikimin edhe rritjen e koeficienteve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve tjerë të TKK-së.

Fillimisht duke filluar provat me 10 minuta vonesë (më 16.09.2024) . Kurse, hapin e radhës lidhur me këtë kërkesë SHSATKK-së e mori më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984” në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024” -në Shkup, që nisi edicionin me shfaqjen e TKK-së.

Ndërsa, më  01.11.2024, ShSATKK e shtyu për 15 ditë grevën e përgjithshme në TKK.