Greva e përgjithshme paralizon Ministrinë e Kulturës

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë nisur sot grevën e përgjithshme për të kundërshtuar largimin nga objekti aktual.

Greva ka nisur në ora 8:00 të mëngjesit, ashtu siç ishte paralajmëruar dhe nuk ofrohet asnjë shërbim i kësaj ministrie. Zyrtarët grevistë do të qëndrojnë në zyrat e tyre deri në orën 16:00, për t`u rikthyer të nesërmen për të vazhduar grevën.

Labinot Berisha, kryetar i Këshillit grevist të punëtorëve të MKRS, ka thënë për Kallxo.com se greva ka nisur në orën 8:00 pa problem.

“Ashtu siç edhe është paralajmëruar të gjitha shërbimet e MKRS janë ndërprerë dhe pjesa dërmuese e punëtorëve të MKRS e mbështesin grevën. Zyrtarët janë në vendim e punës duke shprehur në këtë mënyrë protestën e tyre”, ka thënë Berisha.

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga sot në mëngjes kanë hyrë në grevë të përgjithshme pa afat për të kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e stafit të MKRS-së nga objekti aktual.