Pamje nga ekspozita ‘Gjuha shqipe nga alfabeti në drejtshkrim’. Foto: KALLXO.com.

Gjysmë shekulli nga Kongresi i Drejtshkrimit, kritikat dhe nevoja për pasurimin e leksikut të shqipes standarde

Gjysmë shekulli më parë në Tiranë, studiuesit më të njohur të albanologjisë vendosën për versionin zyrtar të përdorimit të gjuhës shqipe, ose Standardin gjuhësor të shqipes.

Për standardin e shqipes vendosën 87 delegatë nga Shqipëria e Kosova e më gjerë, që u mblodhën në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur nga 20 deri më 25 nëntor 1972 në Tiranë.

Në përfundim të këtij kongresi u nxor edhe rezoluta për Gjuhën Standarde Shqipe e nënshkruar nga delegatët pjesëmarrës.

Delegatët vendosën që baza e standardit të jetë dialekti i toskërishtes (toskërishtja).

Vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe u bën të zbatueshme dhe në Kosovë, pavarësisht vështirësive dhe kundërshtime që u shpërfaqën pas 1990-ve e veçanërisht me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Studiuesit të shqipes thonë se standardizimi i shqipes u arrit duke u bazuar në rrethanat historike të kohës dhe nivelin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ndërsa, kërkojnë hapjen e standardit ndaj leksikut e gegërishtes.

Rëndësia dhe sfidat

Gjuhëtari Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik – Prishtinë, tha për KALLXO.com se standardizimi i shqipes është bërë në harmoni të plotë me rrethanat historike, gjuhësore, letrare e kulturore të kohës.

“Shqipja standarde tashmë ka 50 vjet traditë të shkrimit e të përdorimit, e ka trasuar rrugën e vet nga e cila edhe po të duam nuk mund të dalim”- thotë ai.

Sipas tij, janë të njohura edhe praktikat e të gjitha gjuhëve të botës se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në përzgjedhjen e variantit gjuhësor për standardizimin e një gjuhe.

Ndërsa shton se standardi i shqipes përballet me sfida të ndryshme.

“Sipas meje, sfida më e madhe me të cilën është duke u përballur standardi gjuhësor i shqipes sot është mosnjohja e mjaftueshme e tij. Debatet që zhvillohen për vlefshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtij standardi gjuhësor i konsideroj si anakronike, nga të cilat nuk do të ketë rezultate. Ndonëse ato janë shumë të rrezikshme, vlerësoj se nuk do të mund të shkojnë më tej sesa të shkaktojnë kokëçarje të herëpashershme për neve dhe shoqërinë shqiptare”- tha Berisha për KALLXO.com.

Kurse, akademik Shkumbin Munishi thotë për KALLXO.com se standardi gjuhësor i shqipes bashkëjeton dhe funksionon në mënyrë komplementare edhe me varietetet e saja, siç thotë ai, qofshin ato varietetet regjionale, qofshin varietete sociale.

“Në këtë mënyrë, sot mund të thuhet se gjuha standarde kryen ato funksione komunikuese të cilat janë karakteristike për gjuhën standarde. Natyrisht ka çështje të tjera që mund të diskutohen e që lidhen me trysninë në të cilën gjendet gjuha standarde sot, sidomos nga ndryshimi i dinamikave te komunikimet në raport me situatat e kaluara po njëkohësisht edhe nga trysnia e proceseve të globalizimit që po ndodh gjithandej nëpër botë”- thotë ai.

Hapja ndaje gegërishtes

Ndërkaq, Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, tha për KALLXO.com se shqipja standarde ka ende për të vjelë nga leksiku i saj krahinor -dialektor që ta pasurojë bazën leksikore.

“Në këtë pikëpamje Kongresi i Drejtshkrimit nuk ka sanksionone, të themi kufizime të mëdha, por ka qenë vet niveli i studimeve gjuhësore dhe vjeljes së leksikut, sidomos sa i përket të folmeve të gegërishtes, të cilat po studiohen dita – ditës dhe natyrisht edhe po botohet leksiku i saj, i cili në të ardhmen duhet të bëhet pjesë e korpusit të madhe të një fjalori të shqipes”- tha Matoshi.

Sipas tij, ka fjalë që mund të hyjnë edhe në fjalorin drejtshkrimor pa pasur asnjë lloj pengese.

Pamje nga ekspozita ‘Gjuha shqipe nga alfabeti në drejtshkrim’. Foto: KALLXO.com.

Akademik Qosja: Kongresi i Drejtshkrimit varrosi përpjekjet për ndarjen e shqiptarëve në dy kombe