
Aktori Naim Berisha në shfaqjen “Artisti i vetëm”. Foto: KALLXO.com.
Gjykata vërteton diskriminimin në pagë të aktorit të Teatrit Kombëtar
Gjykata Themelore në Prishtinë (GJTHP), Departamenti i përgjithshëm ka vërtetuar diskriminimin në pagë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj aktorit Naim Berisha, anëtar i Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për periudhën 01.07.2011 deri 30.04.2015.
Përmes Aktgjykimit të datës 19.12.2024, GJTHP e ka aprovuar në tërësi si të themeltë Kërkesëpadinë e aktorit Naim Berisha kundër MKRS-së – duke e detyruar këtë të fundit që t’ia paguajë aktorit Berisha diferencën e ndryshimit në pagë për periudhën kohore 01.07.2011 – 30.04.2015.
Aktgjykimi i datës 19.12.2024 i GJTHP-së vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese – KI137/23, të datës 18. 01.2024, publikuar më 20.02. 2024, përmes së cilës konstatohet se tre Aktgjykimet paraprake të Gjykatës së rregullt – përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (2015), Gjykatës së Apelit (2019) dhe Gjykatës Supreme (2022) – nëpërmjet të cilëve i ishte refuzuar Kërkesëpadia aktorit Berisha, ishin nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, provat dhe Ligjet e aplikueshme në Kosovë.
Kushtetuesja, më 19.01. 2024, konstatoi se Aktgjykimi i Supremes ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të paraparë me Nenin 31, Paragrafi 1 të Kushtetutës në ndërlidhje me të drejtën për një proces të rregullt të paraparë me Nenin 6, Paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendimi i Kushtetueses bëri që rasti i Berishës të rigjykohet.
Aktgjykimi i Gjykatës
Më 19.12.2024, GJTHP e ka vërtetuar diskriminimin në pagë për periudhën 4 vjeçare (2011-2015) të aktorit Berisha nga MKRS-ja – duke e obliguar këtë të fundit të paguajë diferencën në pagë, diferencën e kontributit pensional, tatimit dhe kamatën ligjore.
Më 2012 Berisha kishte ushtruar padi në Gjykatë për diskriminim në pagë, në raport me kolegët e tij.
Sipas Vendimit të GJTHP-së, MKRS me mospagesën e njëjtë të Berishës në raport me kolegët e tij, ka shkelur të drejtat e tij që kanë të bëjë me kushtet e punësimit dhe pagesës – duke bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, përkatësisht duke shkelur Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.
“Përfundimisht, Gjykata vlerëson se e paditura (MKRS) me rastin e mospagesës së njëjtë të paditësit, sikurse kolegët e tij për punën e njëjtë ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tij – duke e trajtuar në mënyrë më pak të favorshme sesa janë trajtuar të punësuarit e tjerë në pozitat e përmendura.” – thuhet në Aktgjykim.
Po sipas këtij Aktgjykimi, meqë Gjykata gjeti se e paditura (MKRS) me veprimet e saj ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj paditësit (Naim Berisha) vendosi të detyrojë të paditurën (MKRS) që paditësit t’ia kompensojë shumën e caktuar sipas Aktgjykimit.
Rruga e gjatë për drejtësi e aktorit Naim Berisha
Aktori Berisha tha për KALLXO.com se fatura që i është dashur të paguajë për shkak të përcaktimit të tij për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe ligjshmërisë në Teatrin Kombëtar ka qenë shumë e shtrenjtë.
Diskriminimi në pagë ka thënë ai është vetëm njëri ndër sulmet që atij i janë bërë gjatë kësaj qëndrese për drejtësi.
“Gjykata më në fund pas 14 vjetëve aprovoi padinë dhe konfirmoi diskriminimin. Kërkimi i drejtësisë në Gjykatë ishte i rëndë, po aq sa diskriminimi. Kjo lëndë është refuzuar fillimisht nga tre instancat e Gjykatës së rregullt – përfshirë Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.” – tha Berisha për KALLXO.com.
Berisha ka thënë se vetëm pas aprovimit nga Gjykata Kushtetuese dhe shkeljeve që kjo Gjykatë konstatoi, ky rast arriti të marrë rrugën drejt zgjidhjes, i cili pas shqyrtimit të dytë nga Gjykata Supreme u aprovua për të arritur në këtë epilog ku jemi tani, ku Gjykata e faktit, respektivisht Gjykata Themelore në Prishtinë, aprovon padinë – duke e vërtetuar diskriminimin.
“Vlen të përmendet se nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës nëpërmjet gradimeve të paligjshme vazhdoj të jem i diskriminuar, në kundërshtim me përvojën dhe përgatitjen akademike. Madje, TKK ka mbi një vjet që nuk e zbaton Vendimin e Komisionit të Ankesave të MKRS-së, nëpërmjet të cilit vërtetohet se unë në kundërshtim me përvojën, rrethanat dhe përgatitjen akademike jam kategorizuar në kategori jomeritore.” – ka thënë Berisha.
Ndërsa MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com – lidhur me Aktgjykimin e GJTHP-së.
Përgjegjësia për gradimin e aktorëve në TKK bie mbi Këshillin Drejtues të tij. Ky i fundit nuk është përgjigjur në interesimin e KALLXO.com – lidhur me pretendimet e Berishës se ende vazhdon të jetë diskriminuar si aktor i TKK-së, përkatësisht moszbatimin e Vendimit të Komisionit të Ankesave.
Më 2011 Qeveria miratoi Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore. Miratimi i saj i hapi rrugë legalizimit të vendeve të punës edhe të aktorëve të TKK-së. Por, pavarësisht shkollimit superior, përvojës dhe vlerësimeve të larta për interpretim në skenë nga kritika, Berisha diskriminohet në pagë në raport me kolegët e tij, i cili për punën e njëjtë për katër vjet me radhë u pagua dukshëm më pak (gjysmë page), se sa kolegët e tij me të njëjtin status, me të njëjtën përvojë pune dhe me të njëjtën përgatitje akademike.