Gashi nënshkruan rregulloren për ansamblet rezident të TKK-së

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka nënshkruar Rregulloren për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Kjo rregullore, sipas komunikatës së Ministrisë, përcakton mënyrën, kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e aktorëve të ansamblit rezident të aktorëve, kategorizimin dhe kohëzgjatjen e angazhimit të tyre në ansamblin e Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Sipas rregullores së nënshkruar nga Ministri Gashi, Teatri Kombëtar ka ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej së paku 30 (tridhjetë) aktorëve të të gjitha moshave, ndërsa Teatrot e qyteteve kanë ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej 10 (dhjetë) deri në 20 (njëzetë) aktorë.

Rregullorja parasheh edhe ndarjen e aktorëve nëpër kategori sikurse janë doajenët (më shumë se 20 vjet përvojë pune, me së paku 30 role kryesore), aktorët e kategorisë së parë (së paku 15 role kryesore), aktorët e kategorisë së dytë (së paku 10 role kryesore) dhe trupa rezidente.

Vlerësimi për kategorizimin e aktorëve sipas rregullores bëhet çdo dy vjet nga komisioni i emëruar nga Këshilli Drejtues, ku parashihet edhe zbritja e aktorëve nga kategoria përkatëse, përjashtuar doajenët që nuk i nënshtrohen kritereve të zbritjes.

Me këtë rast sipas komunikatës është prononcuar edhe ministri Gashi, i cili vlerësoi se MKRS-ja për përmbush dhe plotëson infrastrukturën ligjore e cila rregullon dhe përmirëson teatrot dhe ansamblet rezidente të tyre.

“Ka qenë përkushtim dhe fokus i yni që nga dita që kemi marrë drejtimin e ministrisë që të kemi një kujdes të veçantë për fushën e teatrove në Republikën e Kosovës si dhe për aktorët të cilët me punën e tyre përçojnë emocione tek publiku duke bartur vlera artistike”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.