Galeria Kombëtare në hap me teknologjinë, të tjerat ‘dorëzohen’ para coronaviruesit

Pavarësisht se është mbyllur, Galeria Kombëtare e Kosovës u ka mundësuar vizitorëve që nëpërmjet rrjetit social të ndjekin ekspozitën e Burim Gashit, “Heshtje e rëndë në 360 shkallë”.

Por, përveç GKK-së institucionet tjera kulturore nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë rrjetet sociale për transmetimin e shfaqjeve apo produkteve të tyre, pas masave drastike që ka marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Me 12 mars 2020 Ministria e Kulturës pezulloi të gjitha aktivitetet e institucioneve kulturore pas vendimit të Qeverisë  së Kosovës për masa për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Pas këtij vendimi institucionet kulturore pushuan aktivitetet dhe stafet artistike i dërguan në shtëpi. Një veprim i tillë është marrë në mbarë Evropën, pikërisht për shkak të coronavirusit.

Por, shumë prej institucioneve kulturore evropiane po shfrytëzojnë mundësitë teknologjike duke transmetuar programet e tyre përmes rrjeteve sociale apo mënyrave tjera virtuale.

Galeria Kombëtare e Kosovës veproi njëjtë. Ajo mundësoi vizitë virtuale në ekspozitën e Burim Gashit, përmes: www.lapsi360.com/burim360.

“Për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi – COVID 19, dhe në pamundësi për ta hapur GKK-në, mund të klikoni më poshtë: 9www.lapsi360.com për ta vizituar ekspozitën e Burim Gashit ‘Heshtje e rëndë ne 360 shkallë’”, thuhet në njoftimin e  GKK-së.

Por, institucionet tjera nuk mund ta ndjekin shembullin e Galerisë Kombëtare.

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana” të Ferizajt ka thënë për Kallxo.com se teatri që ai drejton nuk ka mundësi të transmetojë shfaqje në mënyrë virtuale.

“Nuk e besoj pasi që edhe ato shfaqje që janë të xhiruara, nuk janë për transmetim, pasi që do prej tyre janë të ndaluara për shkak të drejtës autoriale, dhe shkaku tjetër është xhirimi është vetëm për arkiv, dhe jo për transmetim”, ka thënë Hyseni.

As Teatri “Dodona”, e as Teatri Kombëtar nuk kanë mundësi tjetër për të transmetuar shfaqjet e tyre, përveçse në skenë.

“Sikur të kishim ndonjë aktivitet që do të transmetohej live në ndonjë TV atëherë kjo do të ishte situatë tjetër, me qenë se të gjitha shfaqjet bëhen për publik dhe në prani të publikut, atëherë kjo d.m.th të gjitha shfaqjet anulohen”,  ka thënë për Kallxo.com, Femi Maliqaj, ushtruese i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Për Ben Apollonin, regjisor teatri, mos mundësia e institucioneve për të shfrytëzuar mundësitë teknologjike për shfaqjen e produkteve të tyre është pasojë e keqmenaxhimit të institucioneve.

“Teatrot tona nuk i xhirojnë shfaqjet dhe nuk kanë çfarë të shfaqin. Teatrot tona janë menaxhuar keq dha vazhdojnë të menaxhohen keq dhe nuk kanë çfarë të tregojnë as tani, por as nëse dikush një ditë do të dojë të shkruajë për historikun e teatrove shqiptare”, ka thënë Apolloni për Kallxo.com.