Galeria e Arteve e Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Galeria Kombëtare i rikthehet prezantimit të koleksioneve të saj në Facebook

Rikthimi i masave shtrënguese për parandalimin e Coronavirusit dhe kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 në disa komuna duke përfshirë edhe kryeqytetin, ka bërë që Galeria Kombëtare e Kosovës të rinisë publikimin e veprave artistike nga koleksioni i saj në Facebook.

Galeria Kombëtare posedon në fondin e saj mjera vepra të artit pamore, duke përfshirë edhe ato të artistëve të huaj.

Dhurata Ramosaj Shala, ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së, ka thënë për KALLXO.com se për shkak të situatës me COVID-19, galeria po publikon veprat të artit grafik nga fondi i saj.

“Për shkak të situatës në të cilën jemi, ne kemi vendosur ta prezantojmë koleksionin e veprave artistike nga grafika, që janë në fondin e GKK-së”, ka thënë ajo.

Për shkak të COVID-19, GKK-ja gjatë muajve maj – korrik publikoi në Facebook vepra të ndryshme nga fondi i saj.

Ndërsa, prej 1 gushtit deri më 30 shtator 2020 në këtë galeri qëndroi e hapur ekspozita personale e Jakup Ferrit.