Galeria Kombëtare hap të mërkurën ekspozitën ‘Gjon Mili’

Edicioni i 16-të i Ekspozitës dhe Çmimit ‘Gjon Mili” hapet të mërkurën, më 16 tetor 2019, në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Ekspozita hapet në ora 20:00, ndërsa pas hapjes do të dihet edhe fituesi i edicionit të sivjetmë të kësaj ekspozite që mban emrin e një prej fotografëve më me famë shqiptar, Gjon Mili.

Përmes një komunikate për media Galeria Kombëtare njofton se në garë për çmimin e sivjetmë të ekspozitës janë: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Edson Luli, Fidan Bejtullahu, Jon Mithi, Laureta Hajrullahu, Neron Deshishku, Somer Spat, Valdrin Thaqi, Valentina Bonizzi.

Koncepti kuratorial i ekspozitës është “Në tranzicion: Imazhe në mes faktit dhe trillimit’, kuruar nga  Joao Ribas.

Në kuadër të kësaj ekspozite, sipas komunikatës së GKK-së, më 28 dhe 29 tetor 2019, do të mbahet ligjërata nga profesori nga Italia, Bruno Di Marino dhe do të bëhet prezantimi i artistit Alfredo Mattarazzo.

Këto dy aktivitete do të realizohen në bashkëpunimin me Institutin Italian për Kulturë dhe Ambasadën Italiane në Prishtinë.