Logoja qeveritare për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Foto: ZKM.

Gabimi në logon e Epopesë së UÇK-së, kritikohet Qeveria

Shqiponja në logon e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtë vit u dizajnua me një gabim. Shqiponja dykrenore këtë herë ishte prezantuar pa gjuhë.

Për këtë lëshim është kritikuar Qeveria e Kosovës, ndërsa Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje, deri në momentin e publikimit të artikullit.

Organizimi për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahet më 5, 6 dhe 7 mars mbahet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, në kujtim të luftës së familjes Jashari kundër forcave serbe më 1998.

KALLXO.com ka vërejtur se kokat e shqiponjës në emblemën e UÇK-së në këtë logo nuk kanë gjuhë.

Logoja qeveritare për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Foto: ZKM.

Kjo logo me kokat e shqiponjës pa gjuhë shihet edhe në panon gjigande të prezantuar gjatë akademisë përkujtimore për nder të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Studiuesi dhe publicisti Reshat Sahitaj ka kritikuar ekzekutivin kosovar për këtë lëshim.

“Këtë vit shënimi i Epopesë se UҪK-së është bërë më një logo të bastarduar që nuk dihet a është bërë rastësisht apo qëllimisht”, tha ai për KALLXO.com.

Ai ka treguar edhe për simbolikën e shqiponjës, e cila është pjesë e stemës së Epopesë së UÇK-së.

“Shqiponja dykrenore tanimë është një simbol kombëtar për të cilin simbol është derdhur shumë gjak e shumë sakrifica e që ky simbol do të mbrohet gjeneratë pas gjenerate. Shqiponja dykrenore është sinonim i gjakut të derdhur për liri që ka depërtuar në shpirtin dhe mendjen e çdo shqiptari kudo që jeton”, vlerëson Sahitaj.

Sipas tij, askush nuk duhet të bëjë gabime të tilla.

“Për këto ndërhyrje duhet të dënohet autori, qoftë ai zyrtar i shtetit apo person individual. Kësaj radhe pa asnjë dyshim, me rastin e Epopesë së UҪK-së, në logo është bërë ndërhyrje flagrante dhe përdhosje e simbolit tonë kombëtar”, thotë ai.

Kritika për Qeverinë ka shprehur edhe kritiku Ilir Muharremi.

Sipas tij, gabime të tilla zbehin rolin e shqiponjës në emblemën e UÇK-së.

“Vlera e artit është ta ruajë origjinaliteti historik i cili me vite është trashëguar. Kjo shqiponjë prezanton pushtetin dhe absoluten, historikisht imazhi i saj ishte me gjuhë jashtë”, thotë Muharremi.

“Tash vërtet është zbehur fuqia e saj dhe nuk e di përse është ndërhyrë në imazhin origjinal. Shqiponja dykrenore, është simbol i zotërinjve binjake dhe simbolizon pushtet dhe gjithëdije të dyfishtë”, deklaroi ai për KALLXO.com.

Gjatë muajit shkurt, në Skenderaj ishte vendosur një baner në të cilin ishte shkruar gabim emri i komandantit legjendar Adem Jashari.

 

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit në akademinë përkujtimore për nder të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Foto: Facebook/ZKM.