Franca nderon regjisoren Blerta Zeqiri me dekoratën ‘Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë’

Regjisorja Blerta Zeqiri është dekoruar me medaljen “Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë” nga shteti francez për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë gjatë gjithë karrierës profesionale në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.

Kjo dekoratë regjisores Zeqiri i është dorëzuar sot në mbrëmje nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në një ceremoni të organizuar enkas në rezidencën franceze në Prishtinë.

Ambasadorja Marie-Christine Butel gjatë dorëzimit të dekoratës ka numëruar sukseset dhe punën e Zeqirit në fushën e filmit, sidomos afirmimin e kinematografisë kosovare dhe tematikat e trajtuara.

Sipas ambasadores Marie-Christine Butel, krijimtaria artistike e Blerta Zeqirit bart vlerat universale të tolerancës dhe lirisë të cilat Republika e Francës dëshiron t’i promovojë.

“Përmes karrierës suaj shembullore, zonja Zeqiri, me përpjekjet tuaja të vazhdueshme për ekzistencën e një kinemaje të pavarur, krijuese dhe të përkushtuar, ju meritoni që Republika Franceze të ju shpërblej me simbolin e Kalorësit të Rendit të Arteve dhe Letrave. Zonja Blerta Zeqiri, në emër të Presidentit të Republikës së Francës, dhe në bazë të kompetencave që më janë dhënë, ju shpall Kalorëse të Urdhrit të Arteve dhe Letrave”, ka pohuar ambasadorja Marie-Christine Butel.

Ndërsa regjisorja Blerta Zeqiri ka falënderuar shtetin francez për dekoratën e dhënë. Ajo ka kujtuar edhe qëndrimin e saj si refugjate e luftës në vitin 1999 në Francë, ballafaqimin me humanizmin, mirëqenien dhe kulturën e shtetit francez.

“Ndjehem pafundësisht e nderuar dhe falënderuese ndaj Republikës Franceze për këtë dekoratë kaq të çmuar për mua”, ka thënë ndër të tjera ajo.