FOTO: U hap ekspozita 'Jeta në një fshat shqiptar – Isniq, Kosovë 1976'

Dhjetëra fotografi bardhë e zi nga përditshmëria e banorëve të rajonit të Dukagjinit të shkrepura gjatë viteve 1970, janë ekspozuar sot në mbrëmje në kuadër të ekspozitës “Jeta në një fshat shqiptar- Isniq, Kosovë 1976”, të shkrimtares dhe fotografes, Ann Christine Eek.

Ekspozita është hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës te kompleksi “Qafa” në Prishtinë dhe është vlerësuar si një kontribut me vlerë për trashëgiminë shqiptare.

Vetë autorja e ekspozitës, Ann Christine Eek, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ka thënë se vetëm pas luftës së Kosovës e ka kuptuar vlerën e këtyre fotografive.

“Vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë e kam parë se sa të rëndësishme janë fotografitë e bëra 4 dekada më parë për historinë dhe trashëgiminë e popullit shqiptar”, ka thënë Eek në hapje të ekspozitës.

Ndërsa, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, ka thënë gjatë fjalës së saj se puna e bërë nga Eek është shumë me rëndësi për të njohur kulturën shqiptare.

“Një dokument i tillë është shumë me rëndësi që do të na përcjell edhe në të ardhmen, dhe që ka rëndësi kulturore”, ka potencuar ndër të tjera ambasadorja Karin Hernmarck Ahliny.

Ndërkaq, ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jens Erik Grondahl, ka thënë se ekspozita është një histori e Kosovës përmes së cilës  është pasqyruar mikpritja shqiptare.

“Nëse e shihni ekspozitën shihni se kanë ndryshuar shtëpitë por jo mikpritja shqiptare që ka mbetur po ajo”, ka thënë ambasadori  Jenz Erik Grondahl, duke shtuar se fotografitë paraqesin një dokumentim shumë me rendësi për të parë se ai ka jetuar populli i Isniqit dhe Dukagjinit gjatë viteve 1970.

Në ceremoni e hapjes së ekspozitës ‘Jeta në një fshat shqiptar – Isniq, Kosovë 1976’  kanë folur edhe përkthyesi dhe ambasadori Avni Spahiu dhe drejtoresha për Kulturë e Komunës së Deçanit, Leonora Ukëhajdaraj, të cilët veçuan rëndësinë historike dhe kulturore që ka kjo ekspozitë për Kosovën.