Floren Mehmeti: Foto: KALLXO.com

Florent Mehmeti: Institucionet harruan ekzistimin e teatrove të pavarura

Teatrot e pavarura në Kosovë janë duke kaluar një gjendje të rëndë. Të themeluara kryesisht pas luftës dhe në numër të paktë, këto teatro nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga institucionet shtetërore. Të paktën, kështu konkludon regjisori Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit ODA, në një bisedë për KALLXO.com.

Edhe politikat kulturore të hartuara dhe zbatuara nga institucionet shtetërore më shumë kanë thelluar krizën e këtyre teatrove se sa kanë bërë diç për të mundësuar zhvillimin e tyre, thotë ai.

Gjendjen dhe funksionimin e tyre, duket se e rëndoi edhe më shumë shpërthimin i pandemisë së COVID-19, një vit më parë dhe masat e marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Regjisori Mehmeti, thotë se duke qenë shumë pak në numër, as nuk është menduar fort për gjendjen e teatrove të pavarura.

Mehmeti ka thënë se Ministria e Kulturës ndan një shumë të caktuar në thirrjen vjetor për këto teatro, por, siç ka thënë ai, ajo shumë është larg asaj që u duhet këtyre teatrove për t’u zhvilluar dhe për ta pasuruar ofertën kulturore në vend.

“Ka pasur shumë iniciativa që të ndryshohet kjo qasje, qoftë përmes krijimit të bashkëpunimeve dhe dialogut në mes MKRS dhe skenës së pavarur teatrore, po asnjëherë nuk është arritur të konkretizohet diç, diçka që do të shpërfaqej si politika kulturore, por ka mbetur në nivel të dëshirave dhe aspiratave”, ka thënë Mehmeti.

Problemet që solli COVID-19

Sikur të mos mjaftonin problemet e trashëguara me vite, pandemia e Coronaviruesit vështirësoi edhe më funksionimin e teatrove të pavarura.

Sipas Mehmetit, masat që po merren për parandalimin e pandemisë, po janë konfuze dhe po merren pa u konsultuar me menaxhmentet e këtyre teatrove.

“Bile në përshkrimin e masave flitet për teatrot që janë në vartësi të komunave dhe të ministrisë, që nënkupton që teatrot e pavarura pothuajse nuk ekzistojnë në Kosovë. Kjo tregon se si politikat institucionale i trajtojnë teatrot e pavarura në vend”, ka thënë ai.

Ai thotë se e gjitha kjo, ka shkaktuar humbje të mëdha financiare në teatrin që ai drejton, duke pasur parasysh se për muaj të tërë në gjatë 2020-ës nuk kanë punuar.

Floren Mehmeti: Foto: KALLXO.com

Edhe nga pakoja emergjente e Qeverisë dedikuar Kulturës, teatrot e pavarura janë përjashtuara, përveç rimbursimit të pagave të punëtorëve të rregullt, për muajt prill dhe maj 2020.

“Prej masës së parë, gjithkund tjetër kemi qenë të përjashtuar, dhe në masat tjera Qeveria i ka përjashtuar krejt OJQ si punëdhënës duke i futur krejt në një thes dhe duke aluduar se të gjitha punojnë me projekte që nuk përkon me realitetin, se nuk jemi vetëm ne, ka OJQ që nuk punojnë ekskluzivisht vetëm me projekte, por kanë aktivitet të kombinuar të projekteve dhe aktiviteteve tjera që nevojitet staf. Me një vendim të përgjithshëm janë përjashtuar dhe nuk ka pasur ndihmë tjetër”, është shprehur Mehmeti.

Në thirrjen e MKRS në fund të 2020, OJQ ishin përjashtuar, pasi thirrja ishte dedikuar në mënyrë eksplicite për individë artistë.

Teatri ODA, vazhdimësia e një trashëgimie prej dy dekadash

Megjithatë pandemia ndikoi në krijimin e bashkëpunimeve të këtyre teatrove për të përballuar krizën dhe vazhduar funksionimin.

Teatri ODA është ndër pak teatrot të pavarura që ka në manaxhim hapësirën – objektin për zhvillim të veprimtarisë.

Në këtë kontekst, Teatri ODA dhe Qendra Multimedia në Prishtinë, kanë lidhë një marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzim dhe menaxhim të përbashkët të hapësirës së ODA-ës.

“Pandemia e ka ndihura që ODA, pas 18 vjetëve në kuptimin e gjetjeve të moduleve se si me vazhdu me mbajt gjallë hapësirën. Në këtë udhëkryq ne (Teatri ODA) prej shumë vjetësh kemi qenë duke kërkuar aleanca të ndryshme dhe bashkëpunime që me u fuqizua dhe me mbajt hapësirën gjallë dhe në këtë aspekt kemi gjetur një bashkëpunim të mirë me Qendrën Multimedia për hapësirën dhe shfrytëzimin e saj të përbashkët sa i përket produksioneve të të dyja organizatave”,  ka thënë Florent Mehmeti.

Ai thotë se në të njëjtën kohë po vazhdon një dialog me Komunën e Prishtinës për të gjetur moduse rreth hapësirës së Teatrit ODA, pasi siç ka thënë ai, Komuna e Prishtinës ka shprehur interesim që ta marrë nën administrim këtë hapësirë.