Pamje nga manifestimi ‘Flaka e Janarit 2023’. Foto: Facebook/Komuna e Gjilanit.

'Flaka Janarit' mbyll dekadën e tretë me ndarjen e çmimeve për më të mirët e manifestimit

Muaji i gjatë i vitit janari u mbyll me manifestimin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, duke lënë pas 32 vite në arkivin që dëshmon disa periudha historike dhe personalitete që i kontribuan artit.

Ashtu siç fillon tradicionalisht me ndezjen e një flakadani, që simbolizon ndezjen e aktiviteteve kulturore për të vënë në pah vlerat artistike, muaji i ftohtë nuk kaloi si i tillë për shkak të organizimeve dhe agjendës dinamike.

Kontribuues të manifestimit ishin pjesëtarë nga gjitha trevat shqiptare, punë e kjo e cila në fund ka një çmim që shpërblen më të dalluarit.

Në ceremoninë përmbyllëse e pranishme ishte nënkryetarja e komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, cila ndau mirënjohje për familjet Zeka, Mala, Berisha në shenjë të sakrificës së tyre për liri.

Ajo po ashti njoftoi për çmimet të cilat u ndanë për artistët e dalluar të manifestimit.

Në shtyllën e artit dramatik “Talia e Flakës” më të mirët që u shpallën ishin: Jeton Neziraj për tekstin më të mirë në shfaqjen “Babai dhe babai”. Erson Zymberi, regjia më e mirë në shfaqjen “Burrneshat”. Adem Karaga, aktori më i mirë, që luajti në shfaqjen “Nyjat”, shfaqja më inovative teatrore “Fausti” dhe shfaqja më e mirë e Festivalit të Dramës Shqipe u shpall shfaqja “Babai dhe babai”.

Në këtë mbrëmje janë përzgjedhur edhe më të mirët e Festivalit të Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”.

Vendin e parë e zuri solistja Olza Rashani me këngën “Heroi”, vendin e dytë e zuri Erta Hasani, që i ka kënduar Kosovës, kurse i treti doli Demush Sejdiu, që ka kënduar këngën “Heroit Agim Ramadani”.

Në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka” më të mirët u shpallën: Vendi i parë, Greta Azizi, që ka këndur këngën “Rrisim jetën tonë”. Vendin e dytë e zunë Anesa Bunjaku – “Kroi i fshatit tonë” dhe Mesut Bajrami – “Vajzë me kaçurrela”, kurse vendin e tretë e zunë Rina Kurteshi – “Albulena” dhe Arbër Maliqi – “Këngë bashkimi”.

U shpallën edhe enigmatët më të mirë të “Flakës së Janarit”, të cilët kanë konkurruar në dy kategori. Në zgjidhjen e enigmave i pari ishte Ekrem Krasniqi, i dyti – Agim Ajvazi, kurse i treti ishte NIjazi Ismajli. Në përpilimin e enigmave i pari doli Rexhep Hasani, i dyti – Fazli Berisha dhe i treti – Ekrem Krasniqi.

Çmimet i ka ndarë edhe juria vlerësuese për “Penelin e Flakës”, ku Çmimi blerës i Galerisë iu dha Xhevdet Dulajt për pikturën e tij “Kreshniku i Maleve”. Për “Penelin e Flakës 2023”, çmime morën edhe Merita Myderrizi – Maloku – “Peizazh” dhe Lirika Kastrati – “Njollë mbi njollë”.

Poezia më e mirë e orës letrare u zgjodh ajo e Ramë Oracës – “Rapsodi për tri dhembje”, derisa në konkursin letrar në poezi u ndanë këto çmime: Vendi i parë: “Për ty”, shifra: Safo. Vendi i dytë: “Na t’atëhershmit”, shifra: 0803, Vendi i tretë: “Nëse më kishe dashtë”, shifra: Unë Hamleti.

Në prozë: Vendi i parë nuk është dhënë, Vendi i dytë: “Zbardhëllimë” – shifra: Udhërrëfyesi dhe Vendi i tretë: “Bineqtë” – shifra: L’keni i Hasit. Emrat e fituesve në konkursin anonim do të bëhen të ditur pasi që të deshifrohen me sjelljen e kopjes së tretë.

 Edicioni i sivjetmë i manifestimit “Flaka e Janarit” ka nisur më 11 janar dhe është mbyll dje, më 31 janar 2023.