Ballkoni i mediave, Foto: Kuvendi i Kosovës

Fitim Uka: Komisioni shkeli ligjin për barazinë gjinore në përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Uka, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport (ASHTIKRS) pretendon së përzgjedhja e anëtarëve për Bordin e Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore është bërë mbi baza partiake dhe aspak profesionale.

Përveç kësaj, deputeti Uka ka thënë se Komisioni për ASHTIKRS ka shkelur edhe Ligjin për barazi gjinore duke propozuar vetëm një kandidate – grua, për në Bord të KKTK-së.

Sipas Ukës, deputetët e koalicionit në bashkëpunim me ata të PDK-së i dhanë kahje antiligjore procesit të përzgjedhjes së anëtarëve për Bordin e KKTK-së.

Pretendimet e Ukës nuk janë komentuar nga deputetë të koalicionit qeveritar dhe PDK-së. Ndërsa ka pasur reagime edhe nga kandidatët konkurues për në Bordin e KKTK-së.

Komisionit për ASHTIKRS përzgjedhë dhe i propozon Kuvendit të Kosovës listën me më së paku 7 anëtarë për KKTK-në, pas një konkursi publik.

Anëtarët e Bordit të KKTK-së zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës në seancë plenare.

Në mbledhjet e fundit, Komisioni ASHTIKRS ka dërguar në Kryesinë e Kuvendit propozimet për anëtarë të Bordit të Këshillit të KKTK-së. Tashmë lista me propozimet e Komisionit për ASHTIKRS i është dërguar seancës së Kuvendit.

Deputeti Fitim Uka, ka thënë për KALLXO.com se, përveç që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për KKTK është bërë mbi bazë të një dakordimi në mes të deputetëve të koalicionit dhe PDK-së, është shkelur edhe Ligji për barazinë gjinore.

Pasi, sipas tij, në listën që është dërguar për votim në seancë figuron vetëm një grua/vajzë.

“Përkundër vërejtjeve të mia, këta e kanë shty një listë edhe pse në atë listë nuk kemi gra të mjaftueshme për t`u përfaqësuar në KKTK-në. Kam kërkuar që të mos shkelet Ligji për barazinë gjinore, dhe kam reaguar për faktin se qartazi kishte një marrëveshje politike, duke dëmtuar kandidatët meritorë”, ka thënë, Uka për Kallxo.com.

Uka ka thënë se gjatë vlerësimit të kandidatëve është vërejtur një unision (dakordancë) në mes të deputetëve të koalicionit dhe PDK-së, për të votuar kandidatë të caktuar.

Duke qenë se konkursi është përsëritur, shumica e kandidatëve ishin ftuar në riintervistim pas një periudhe të shkurtër kohore, dhe sipas Ukës, të njëjtit që më herët ishin notuar më 9 apo 10-të , tani u rivlerësuan me notë 5-së.

“Është lehtë e verifikueshme kjo që po them, mjafton të shihi se si janë vlerësuar kandidatë të caktuar, shihet qartë unisoni në vlerësim, pra ka kandidatë të caktuar që kanë marrë 10 pikë prej të gjithë anëtarëve të koalicionit dhe PDK-së”, ka thënë Uka, duke shtuar se vetëm deputetët e LVV-së bën një votim objektiv për kandidatët.

Kryetarja e Komisionin ASHTIKRS, Valentina Bunjaku- Rexhepi që përfaqëson LDK-në nuk ka komentuar pretendimet e Ukës, por ka thënë se tashmë propozimet janë dërguar për në seancën e radhës.

“Komisioni ka dhënë vlerësimin e vet dhe raporti me kandidatët më të poentuar i është dërguar seancës së Kuvendit. Për gjithçka, vendos seanca”, ka thënë deputetja, Bunjaku- Rexhepi.

Deputetë të komisionit nga radhët e PDK-së nuk kanë dashur të prononcohen. Kurse, reagime ndaj vendimit të Komisionit për ASHTIKRS ka pasur edhe nga kandidatët konkurrues.

Anesa Çollakoviç, ka thënë për Kallxo.com se komisioni duhet të propozojë më shumë kandidatë nga komunitetet joserb, dhe jo që ata t ‘i takojnë të njëjtit komunitet, duke respektuar ligjin për barazi gjinore.

“Në herën e parë janë përzgjedh dy kandidatë potencial nga radhët e komuniteteve për një pozitë anëtare në KKTK. Ajo çka është interesante është se të dy kandidatët kanë studiuar në të njëjtin universitet, të dy vijnë nga i njëjti komunitet dhe të dy jetojnë e veprojnë në të njëjtin vend. Kësaj radhe isha dëshmitar ku një kandidate nga komuniteti nuk erdhi në kohën e caktuar, por u paraqit pas mesdite dhe me një telefonatë hyri në orarin e të tjerëve duke na vonuar dhe ndoshta edhe shkurtuar kohën e intervistës të gjithëve që ishim të saktë në kohën e caktuar. Apeloj tek deputetët t’i kenë parasysh këto dhe të mos votojnë parregullsitë e lëshuara gjatë procesit të intervistimit dhe të përzgjedhjes së kandidatëve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Muharrem Qafleshi, ekspert në fushën e Trashëgimisë, ka thënë për Kallxo.com se shihet qartë se përzgjedhja e fundit për anëtarë të KKTK-së është bërë sipas ndonjë marrëveshje paraprake partiake.

“Është koha e fundit që të ndryshohet ky mentalitet dhe model marrëveshjesh paraprake me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave më të mira në çdo sferë të jetës sonë shoqërore, politike e profesionale, me njerëz të fushës, me njerëz me eksperiencë që të çojnë përpara çdo ditë e më shumë në proceset e shoqërisë dhe shtetit tonë”, ka thënë Qafleshi, për Kallxo.com.

Në mesin e 45 kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin e hapur në tetor 2020 për anëtar të KKTK-së, Komisioni për ASHTIKRS ka përzgjedhur 7 kandidatë: Lulzim Nika, Beqir Berisha, Tomor Kastrati,  Esin Salla,  Muhamer Ibriqi, Smajl Shala dhe Filjko Jovanoviq.

Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KKTK-së ishte hapur në maj të këtij viti. Por, në tetor Kuvendi nuk votoi asnjërin nga kandidatët duke rihapur konkursin.

Në korrik 2018 kishte skaduar mandati i përbërjes së kaluar të anëtarëve të KKTK-së dhe që atëherë Kuvendi i Kosovës, si themeluesi i këtij institucioni, nuk ka mundur ta konsolidojë përbërjen e re të Bordit të KKTK-së.

Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë (7) anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës më mandat tri (3) vjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Ligjit Nr. 02/L-88 Për Trashëgimi Kulturore.

Detyrat dhe përgjegjësitë e KKTK-së në bazë të Ligjit Nr. 02/L-88 Për Trashëgimi Kulturore, Ligjit Nr. 03/L-039 Për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit Nr. 04/L-066 Për Qendrën Historike të Prizrenit janë:-Bashkëpunimi më Këshillin Zbatues dhe Monitorues në lidhje më trashëgiminë kulturore dhe fetare sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.