Pamje nga konferenca për filmin ‘Zgjoi’. Foto: Ikone Studio

Filmi 'Zgjoi' nis shfaqjen në kinematë e Kosovës

Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, do të shfaqet në kinematë kosovare gjatë javës që vjen. Në një konferencë të mbajtur sot në ‘Cineplexx’ në Prishtinë, ekip i filmit bëri të ditur se udhëtimin e tij në kinematë vendore, ‘Zgjoi” do të nisë me 28 tetor 2021 në ‘Cineplexx’, për të vazhduar pastaj dhe në kinematë tjera në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Shqipëri.

Në konferencë u fol edhe për rrugëtimin dhe sukseset Zgjoit” në festivalet ndërkombëtare, por edhe përgatitje për konkurrimin në “OSCAR” vitin që vjen.

Regjisorja Basholli tha ndër të tjerash se filmi, i cili tashmë ka marrë 12 çmime ndërkombëtare, pret të forcojë diskutimet për çështjet gjinore.

“E dimë që një film nuk mjafton. Edhe Fahrija kur ka filluar me biznesin e saj ka menduar që nuk ka për të bërë shumë, por ka bërë ndoshta më shumë se çdo kampanjë e vetëdijesimit”, ka thënë Basholli.

Ndërkaq, aktorja e filmit, Yllka Gashi ka thënë se Fahrije Hoti, personi mbi historinë e së cilës është krijuar edhe filmi “Zgjoi”, ka qenë udhërrëfyese e grave të Krushës së Madhe.

“Ajo u ka hapur atyre rrugë dhe është kthyer në një inspirim për të gjithë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Yll Uka njëri nga producentët e filmit ka thënë se janë duke punuar për promovim të filmit për “Oscars”, “EFA”, “BAFTA” e çmime të tjera të rëndësishme në kinematografinë botërore.

“Kemi bërë kërkesë në QKK për mbështetje por akoma nuk kemi përgjigje zyrtare. Kemi biseduar edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe janë duke u koordinuar me institucionet e tjera që të ndahet një buxhet më i madh dhe të rregullohet një herë e përgjithmonë puna e buxhetit për promovim të filmave”, ka thënë Uka.

Kurse, Valon Bajgora, producenti tjetër i filmit, ka thënë se filmi do të shfaqet edhe në Maqedoninë e Veriut e  në Shqipëri.

Po gjatë ditës së sotme filmi “Zgjoi’ është shfaqur për gazetarë, ndërsa në mbrëmje ka pasur një premierë të mbyllur ku ka marrë pjesë edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani – Sadriu.

Filmi “Zgjoi” nga 28 tetori shfaqet në kinematë kosovare