Filmi ‘Zana’ do të përfaqësojë Kosovën në OSCAR

Filmi i Antoneta Kastratit, ‘Zana’, që pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanada është përzgjedhur nga Komiteti selektues që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë ‘Best International Feature’ të OSCARS.

Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi në facebook, ka njoftuar se Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve OSCARS në përbërje të kineastëve kosovarë: Fatos Berisha, producent –kryesues; Doruntina Basha, skenariste; Shkumbin Istrefi, aktor/prodcent; More Raça, regjisore; Visar Krusha, skenariste/producente; Ilir Gjocaj, skenarist dhe Jeton Neziraj, skenarist ka përzgjedhur filmin ‘Zana” për të përfaqësuar Kosovën në edicionin e ardhshëm të çmimeve OSCAR.

Sipas njoftimit të QKK-së, Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Në Kosovë filmi ‘Zana’ do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në Cineplexx.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë: Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë̈ (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.

Producent i filmit “Zana” është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducente Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief.

Në rrolet kryesore luajnë: Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj.